NATO për bazën detare të Pashalimanit: Jemi gati për zbatimin e një plani të përbashkët
Pas investimeve për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, NATO po studion edhe mundësinë për investime edhe në bazën detare të Pashalimanit. Kërkesës zyrtare të dorëzuar në tetor të 2019-ës nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila ka parashtruar planin e qeverisë shqiptare për modernizimin e bazës detare të Pashalimanit, Aleanca e Atlantikut të Veriut deklaron se ka nisur punën në bashkëpunim me autoritet ushtarake shqiptare, për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si kjo bazë mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të Aleancës.
NATO iu përgjigj zyrtarisht interesit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare lidhur me kërkesën e autoriteteve shqiptare për investim në Pashaliman. “Autoritetet ushtarake të NATO-s janë duke punuar ngushtë me autoritetet ushtarake shqiptare për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si baza detare e Pashalimanit mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të NATO-s”, konfirmoi për ATSH një zëdhënës i Aleancës.
NATO, tha për ATSH, se e mirëpret mbështetjen e Shqipërisë ndaj planeve dhe sigurisë detare të Aleancës. “Ne mund të konfirmojmë se NATO ka marrë një letër nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes, ku shprehet mbështetja e qeverisë shqiptare për modernizimin e Bazës Detare të Pashalimanit. Ne mirëpresim mbështetjen e Shqipërisë ndaj planeve dhe sigurisë detare të NATO-s nëpërmjet dhënies së aftësive detare të saj për misionet dhe aktivitetet e drejtuara nga NATO”, deklaron për ATSH zyrtari i Aleancës.
Për NATO-n, nënvizon zëdhënësi për ATSH , kjo pasqyron solidaritetin, kohezionin dhe unitetin e përpjekjeve të Aleancës.
“Kjo është në të njëjtën linjë me qëndrimet operacionale të NATO-s dhe pasqyron solidaritetin, kohezionin dhe unitetin e përpjekjeve të Aleancës. Autoritetet Ushtarake të NATO-s janë duke punuar ngushtë me autoritetet ushtarake shqiptare për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si kjo bazë mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të NATO-s”, nënvizohet në reagimin zyrtar për ATSH-në.
Në tetor të vitit të shkuar, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka iu drejtua përmes një letre zyrtare komandantit të Komandës Supreme për Europën, gjeneralit amerikan Tod D.Wolters që Aleanca të konsiderojë Pashalimanin edhe për shkak të gjeografisë dhe avantazheve që ofron, për të investuar edhe aty një bazë detare.
Ministrja ka theksuar se Shqipëria është gati për zbatimin e një plani të përbashkët për zhvillimin e bazës detare për Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ndërkaq baza ajrore e Kuçovës do të jetë gati së shpejti, sipas projektit të hartuar nga NATO, një investim ky që kap vlerën e 50 milionë eurove.