Mbyllja e plazheve, akt anti-ligjor?
Një urdhër i dhënë të premten në darkë nga Kryeministri Edi Rama ka kapur në befasi mijëra biznese e qytetarë që operojnë në zonat bregdetare.
“Kjo fundjavë do të vijojë njësoj si e shkuara”, e thënë nga Kryeministri në faqen e tij private në Facebook, po interpretohet nga strukturat shtetërore si akt ligjor që ndalon pushuesit të frekuentojnë plazhet, ndonëse po qëndrojnë në hotelet bregdetare.
Por a ka një vendim të qeverisë apo të Ministrisë se Shëndetësisë që është ngarkuar të nxjerrë rregulla në periudhën e pandemisë, për mbylljen e plazheve?
Tv Klan ua bëri këtë pyetje të gjitha institucioneve, përfshirë edhe policinë. Asnjë prej tyre nuk dha përgjigje dhe nuk tregoi ndonjë vendim apo akt tjetër ku të thuhet se qytetarët nuk mund të lahen në det.
Ajo çfarë është publike deri tani për këtë çështje është një deklaratë e bërë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, më 26 Prill.
Ky urdhër verbal, ndonëse i pabazuar në ndonjë akt ligjor, duket se ka shërbyer si bazë për policinë për të larguar nga plazhet pushuesit në këto ditë të nxehta.
Qytetarët në zonat bregdetare thonë se mbyllja e plazheve është një absurditet. Kështu, në zonat e gjelbra, njerëzit lejohet të rrinë të grupuar në rrugët buzë detit, por jo në ranishte apo të freskohen në det.
Qytetarët thonë se edhe durimi ka një kufi dhe kjo që po ndodh është e papranueshme.
Operatoret turistikë, edhe pse nuk kanë marrë një vendim të shkruar nga strukturat shtetërore për të mos vendosur çadra e shezllone, kanë vepruar bazuar në deklaratat si ajo e kryepolicit Ardi Veliu, apo postimet e Kryeministrit Rama në Facebook.
Por për ta, mbyllja e plazheve është e tepërt, është një premisë për falimentim në një kohë kur sektori i turizmit është më i godituri nga pandemia dhe nuk operon prej 3 muajsh. Ndërkohë që vetë qeveria nga ana tjetër thotë se turizmi duhet ndihmuar, si industria më e prekur nga Covid-19.
Këtë fundjavë kush kishte prenotuar për të qëndruar në hotele, duke bërë edhe pagesat përkatëse, u njoftua vetëm të premten vonë nga Facebook-u i Kryeministrit se nuk do të mund të mund të shfrytëzonte plazhin. Kush nuk e ndoqi Kryeministrin në Facebook, u njoftua vetëm kur policia ia behu të nesërmen nëpër restorantet e hoteleve dhe nëpër plazhe.
Anulimi i prenotimeve u kushtoi sa qytetarëve aq edhe operatorëve turistike në mezi po mbahen në këmbë.
Në disa zona të gjelbra, policia veproi në kundërshtim me ligjin edhe për mbylljen e bareve dhe restoranteve të hoteleve, pasi ekziston një vendim i qeverisë me numër 320 i datës 15 Maj, që thotë se urdhri i mëparshëm për mbylljen e tyre shfuqizohet.
Urdhrat verbalë apo ato të nxjerrë befas nga strukturat shtetërore kanë krijuar amulli tek operatorët turistikë, po ashtu edhe te pushuesit. Paqëndrueshmëria e vendimeve dhe mospasja e një udhëzuesi apo strategjie të qartë se si do të operohet gjatë sezonit turistik i ka bllokuar si hotelet dhe strukturat e tjera turistike, ashtu edhe qytetarët që të rakordojnë me prenotimet.
Edhe në internet qytetarët kanë shpërthyer kundër Kryeministrit si kurrë më parë, duke kërkuar hapjen e plazheve, ashtu siç po ndodh prej 1 jave në Greqinë fqinje, ku hapja e plazheve nuk ka sjellë deri tani asnjë pasojë në infektimin e qytetarëve.
Operatorët turistike thonë se paqartësia e deritanishme përsa i përket operimit të këtij sektori, po e dëmton me shumë atë.