Vrau dy prostituta në Itali, OFL i kërkon pasurinë të fortit të Vlorës me 5 akuza “mbi supe”
Efektivët e Operacionit Forca e Ligjit kanë zbarkuar në qarkun e Vlorës, ku i kërkojnë deklarimin e pasurisë 4 personave, me precedent kriminal. Personat që duhet të deklarojnë pasurinë janë Edison Begaj, Elton Çobo, Luan Kanani dhe Tesi Basho.
Sa i përket këtij të fundit, Tesilvan ose Tesi Basho është një nga njerëzit më të kërkuar në Itali për vrasjen e dy prostitutave dhe i dënuar me burgim të përjetshëm në nëntor të 2016 nga gjykata e Torinos. Basho është marrë i pandehur dhe është dërguar në gjyq nga prokuroria e Vlorës.
Tesi Basho prej tre vitesh fshihej në Shqipëri ku po përdorte emrin Thanas Lame. Me këtë emër ai kishte arritur që të nxirrte një kartë identiteti si dhe të martohej.
Gjithsesi, ai është vënë në pranga nga policia në tetor të vitit 2019 ndërsa në banesën e tij u sekuestruan dy automatikë, pistoletë “Glock”, radio marrëse-dhënëse, kallëpe tritoli dhe sende të tjera të paligjshme.
Ndaj Bashos janë të ngritura 5 akuza ajo e “Shtrëngimit me anë të kanosjes me qëllim marrjen e pasurisë”, “Mbajtjes pa lejë e armëve”, ”Falsifikimit të dokumenteve”, “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “Kultivim të lëndëve narkotike”.
Me përfunduar dënimin në Shqipëri, Basho dot të ekstradohet në Itali, ku është dënuar me burgim të përjetshëm.
Dosja e Tesi Bashos është e ndarë në tre pjesë, ku për akuzën e gjobëvënies 100 mijë euro ai është marrë i pandehur në Janar 2020 dhe ndodhet në fazën e gjykimit në Vlorë.
Ndërsa për katër akuzat, e tjera Basho është çuar tashmë në gjyq dhe pritet që për të, të fillojë gjykimi. Kurse dosja e tretë ka të bëjë me ekstradimin ose jo të Bashos në Itali, pasi pak vite më parë ai është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia Italiane për ekzekutimin e dy prostitutave në Itali. Për këtë krim, Basho është arrestuar në Itali, por mundi të arratiset nga burgu duke përdorur çarçafë dhe më pas ka gjetur strehim të Selenicë të Vlorës.