Adrian Gurma takim me operatorët turistikë të Ksamilit: Oferta jonë është cilësia dhe siguria për turistët

Pas takimit me operatorët turistikë të Sarandës, ditën e sotme kryebashkiaku Adrian Gurma ka zhvilluar një takim tjetër me operatorët në Ksamil.

Fokusi i takimit me operatorët turistik të Ksamilit ka qenë për përgatitjet e deritanishme, masat e marra, shqetësimet, problematikat, opinionet si dhe qasjet e reja, për sezonin e ri turistik në situatën post-Covid.

Gurma u kërkoi operatorëve që t’i zbatojnë sa më shumë masat, ndërsa u premtoi se bashkia do të jetë në krah të tyre për t’i zgjidhur çdo problematikë.

“Ju falenderoj për takimin. Ne e bëm një javë më parë një takim dhe në Sarandë dhe aty nuk bëm dallime, Saranda apo Ksamili. Që nga dita e parë e rrugëtimit tim si kryetar bashkie nuk kam bërë asnjëherë diferenca mes Sarandës apo Ksamilit. Jemi të gjithë bashkë për turizmit. Në takimin në Sarandë ka pasur dhe përfaqësues nga Ksamili.

E rendësishme është produkti, dhe produkti jonë është një cilësi më e mirë për turistët. Është një produkt që na shërben të gjithëve.

Sigurinë nuk e kërkon kryetari, sigurinë e kërkon protokolli dhe kryetari është autoriteti përgjegjës i cili duhet të monitorojë situatën, duhet të jetë konform rregullave dhe të gjitha protokollove dhe aktit normativ që qeveria që ka nxjerr për të gjitha situatat. Jemi këtu pikërisht për këtë dhe nëse bëjmë një nisje gabim nuk kemi se si të vazhdojmë në të ardhmen për të pritur turistë në rrugë të gabuar. Ndaj, duhet të jemi rigoroz karshi kujdo që ofron turizëm sepse që në gjenezë nëqoftëse e nisim gabim do të jemi gabim gjithë sezonin.

Ndaj dhe unë kam kërkuar që të respektohen rregullat dhe ju duhet të jeni të vetë dijshëm se këtë nuk ua kërkon Adrian Gurma, por e kërkon e drejta e cilido turistë që kërkon të vijë të pushojë në Ksamil apo në Sarandë që kërkon të ketë siguri.

Kjo është e para dhe thelbësore, nëse nuk kuptojmë këtë dhe e shohim si karshillëk ndaj njëri-tjetrit, pastaj është e kot të diskutojmë për protokolle dhe turizëm”, u shpreh Gurma.

Në vijim kreu i bashkisë theksoi se e rëndësishmja është që të ofrohet turizëm me aq mundësi sa do ketë dhe të zbatohen rregullat./Sarandanews.com/