Kali i Qyqes rikthehet në folenë e tij në Vjosë
Në javën e fundit të prillit, Kali i Qyqes –një ndër shpendët më të rrallë dhe në rrezik kritik zhdukjeje, u rikthye në territorin e Shqipërisë. I pagëzuar me emrin Vjosa/ Aoos, shpendi është i pajisur me transmetues satelitor dhe raportohet të ketë mbërritur në territorin shqiptar pasi ka përshkuar mbi 7 mijë kilometra.
Shpendi i rrallë ka përshkuar 10 shtete të ndryshme të botës përpara se të rikthehej në Shqipëri -Çad, Libi, Sudan, Egjipt, Izrael, Jordani, Arabi Saudite, Siri, Turqi dhe Greqi.
Taulant Bino, drejtues i Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë tha në një prononcim për mediat se specia globalisht e rrezikuar folezon në zallishten e lumit të Vjosës, ku ka edhe habitatin e vet ushqimor. Por edhe pse kaq pranë folesë së vet, shpendi përballet me rrezikun e helmimit dhe atë të humbjes së habitatit për shkak të planeve për të ndërtuar diga mbi Vjosë.
“Për ne ornitologët, kur themi Vjosa nënkuptojmë Kali i Qyqes dhe kur themi Kali i Qyqes nënkuptojmë Vjosën. Kjo specie globalisht e rrezikuar, gati për zhdukje në shumë vende, gjen në Shqipëri pikërisht në luginën e Vjosës territorin e saj më të fortë”, tha Bino.
Kali i Qyqes është shkabë migratore dhe mund të fluturojë deri në 640 kilometra në ditë, ndërsa përshkon distanca deri në 5 mijë kilometra, nga territoret e saj folezuese në Europë në ato të dimërimit në skajin jugor të shkretëtirës së Saharasë në Afrikën Veriore.
Shpendi i rrallë dallohet nga koka me ngjyrë të verdhë të ndezur dhe pendët e bardha dhe është pjesë e folklorit të kulturave të ndryshme. Egjiptianët e lashtë e adhuronin atë si një simbol të perëndeshës ‘Isis’ dhe e përjetësuan siluetën e tij në një hieroglif në alfabetin e tyre.
Përveç luginës së Vjosës, Kali i Qyqes folezon edhe në luginën e Drinos në Gjirokastër. Shumë i përhapur në Ballkan përpara 50 viteve, çiftet folezuese janë pakësuar me ¾.
Në vitin 2005 në Shqipëri numëroheshin 14 çifte folezuese, ndërsa sot numri i tyre ka zbritur në vetëm 5 ose 6 çifte.
Taulant Bino kujtoi rreziqet që i kanosen mbijetesës së Kalit të Qyqes në Shqipëri, ndërsa shtoi se është detyrë e të gjithëve mbrojtja e shpendit në zhdukje.
“Nëse zallishtet e mrekullueshme [në Vjosë] do të humbasin, Kali i Qyqes do të humbasë territorin e tij dhe natyra do të humbiste një aleat të sajin. Prandaj mesazhi im është lëreni Vjosën dhe Kalin e Qyqes të lirë dhe natyrën tonë ta gëzojnë dhe brezat e ardhshëm,” përfundoi Bino.