Kryetari i degës së PD Finiq sulmon ish-kryetaren e PD Sarandë pas emërimit si nënkryetare e Bashkis
Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Finiq, Shpëtim Iljazi, ka reaguar ashpër pas emërimit të ish-kryetares së PD-së Sarandë, Manjola Nikollo, në postin e nënkryetares së Bashkisë Sarandë.
Në një postim në rrjetet sociale me titull “Shqiponja që ra”, Iljazi e akuzon Nikollon për “hipokrizi të vjetër” dhe “tradhti ndaj kauzës demokratike”, duke thënë se ajo “ka fluturuar gjithmonë mbi krahët e intrigave dhe përçarjes”.
“Manjola Nikolloi, ish-kryetare e PD-së në Sarandë, një ndër më të zellshmet dikur në radhët tona, sot pranon të bëhet nënkryetare e Bashkisë së Sarandës — një bashki e drejtuar nga Partia Socialiste. Nuk është surprizë. Është vetëm vazhdim i një hipokrizie të vjetër”, – shkruan Iljazi.
Sipas tij, gjatë drejtimit të Nikollos, dega e PD-së në Sarandë ka pësuar përçarje dhe tensione të qëllimshme, që “dobësuan strukturat dhe zhgënjyen demokratët në zonë”.
“Braktisja e demokratëve në periferi, përçarjet dhe tensionet e pambarimta ishin pjesë e një skenari që shkatërroi PD-në nga brenda. Dhe kur gjithçka u shua, shqiponja ra në tokë — jo nga pabesia, por nga demokratët e vërtetë që nuk shiten,” – thekson më tej ai.
Iljazi nënvizon se pas përçarjeve të primareve dhe përfundimit të karrierës së saj politike në PD, Nikollo është “kthyer aty ku e ka pasur origjinën politike” — në kampin socialist.
“Ajo ka gjetur më në fund folenë e re. Në të vërtetë, është kthyer aty ku e ka pasur origjinën e saj politike,” – përfundon kreu i PD-së në Finiq.
Reagimi i Iljazit ka ngjallur diskutime të forta në radhët e demokratëve të jugut, pasi Nikollo është tashmë pjesë e administratës së drejtuar nga Partia Socialiste në Bashkinë Sarandë.

