Sarandë – Sistemi “Dual” në kuzhinë, shkolla “Hoteleri-Turizëm” me risi në vitin e ri mësimor
Në vitin e ri mësimor 2025-2026 shkolla “Hoteleri-Turizëm” në Sarandë hyn me disa risi. Një prej tyre është futja për herë të parë e sistemit “Dual” në kuzhinë, për nxënësit e vitit të tretë. Drejtoresha e kësaj shkolle, Rudina Selimi, tregon se ky është një hap më tej në rrugën e partneritetit të kësaj shkolle me biznesin vendor, që plotëson kushtet për sistemin “Dual” në kuzhinë. Përmes tij, nxënësit në prag të mbarimit të studimeve, përgatiten përtej teksteve shkollore, nga një mentor profesional që gjendet në këto biznese.
“Në partneritet me të gjitha biznese e Sarandës, kanë pranuar të bëjnë sistemin “Dual”, për të krijuar kushtet që nxënësit të zhvillojnë praktikat në bizneset e tyre”, u shpreh Selimi.
Ndërkaq shkolla e Sarandës, që mban emrin e shqiptaro-amerikanit Antoni Athanas, sapo ka fituar fazën e parë të RCF gjermane dhe në këtë vit të ri mësimor, gjendet në vijim të aplikimit të fazës së dytë, për t’u bërë përfituese e mbështetjes financimit prej 400 mijë euro, shoqëruar me një varg mundësish.
“Një nga projektet që ne kemi fituar në fazën e parë është projekti i RCF-së gjermane, i cili nëse arrijmë ta fitojmë deri në fund do të jetë një investim shumë i madh”, tha ajo.
Deri në aritjen e përfitimit nga ky projekt, e sigurt është që Shkolla Profesionale për Hoteleri-Turizëm në Sarandë, bën këtë vit pjesë të programeve të saj mësimore sistemin “Dual” në kuzhinë. Sistemi “Dual” u aplikua për herë të parë një vit më parë në shkollat profesionale në vendin tonë.

