Përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurisë, zbardhen detajet
Është mbajtur këtë të mërkurë mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e thërritur nga presidenti Ilir Meta për të diskutuar në lidhje me situatën e krijuar në vend për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit.
Ashtu si edhe radhën e kaluar, mbledhja u mbajt përmes një video-konference ku ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, ministrat përgjegjës edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Çështjet kryesore që u diskutuan në këtë mbledhje ishin vlerësimi mbi situatën aktuale të pandemisë, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.
Kryeministri Rama dhe ministrat përgjegjës informuan kreun e Shtetit për masat e marra për përballimin e krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, si dhe për menaxhimin e mëtejshëm të situatës.
“Mbledhje e gjatë por e dobishme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe një shkëmbim i hapur opinionesh me Presidentin e Republikës & kryetarin e PD për hapjen graduale të aktivitetit në javët në vijim! Sikur komunikimi publik të ishte kaq pozitiv, pollitika do ishte shumë ndryshe”, shkruajti Rama në Twitter pas mbledhjes.
Kryetari i Partisë Demokratike z.Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për ta tejkaluar këtë pandemi me pasoja sa më të lehta për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor.