Adriatik Lapaj: S’mund të shpëtoni prej meje, vetëm nëse më vrisni. Avokati: Atë e financon Shkëlzen Berisha
Adriatik Lapaj ka reaguar sërish pas lajmit se kandidati i Sarandës Ergys Isufi është kapur me një dozë kokainë në xhep nga Policia e këtij qyteti.
Lapaj para banorëve në Drenovicë të Beratit, tha se pasi nuk e joshën dot, filluan ta kërcënojnë, por sipas tij, është i pashantazhueshëm dhe se “nuk bëj pas, përvecse po më morët jetën”.
“Ka muaj që kur shteti, pasi nuk më joshi dot, pasi e pa që unë nuk pranoj pazar, filloi baltën, dhunën, kërcënimet, inskenimet, për të ndalur nevojën për ndryshim të popullit tonë.
Unë Adriatik Lapaj jam i pashantazhueshëm. Sikur të gjithë t’i kërcënonin, shtypni, kërcënoni, unë nuk bëj pas, përvecse po më morët jetën”, tha Lapaj.
Idajet Beqiri ndërkohë, thotë se Lapaj financohet nga Shkëlzen Berisha.
“Adriatik Lapaj doli me qëllimin që të marrë një numër deputetësh sado të vogël, ta përdorë dhe t’ja japë Saliut.
Ai deklaroi se “do jetë një forcë politike që do çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Gjë që e do vetëm Saliu.
Dhe tjetra, ai nuk ka fonde. 3 milion euro Shkëlzen Berisha me urdhrin e babain i ka destinuar për Adriatik Lapajn, që të jetë mbështetja kryesore për Berishën”, tha ai.
Gjatë kësaj intervistë, avokati u shpreh gjithashtu se Adriatik Lapaj po fuqizohet, për t’i ardhur në mbështetje vetëm Berishës.
“SPAK ka shumë punë për të bërë, duhet t’i dalë deri në fund 6 milionë dollarëve. Le ta marrin edhe këtë çështje dhe le ta trajtojnë”, tha ai.