Delvinë, Gjiknuri takon pensionistë e ish-ushtarakë: Besoni ata që kanë dhënë prova

Kandidati i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri zhvilloi një takim në Delvinë, me pensionistë dhe ish-ushtarakë. Gjiknuri i cilësoi ata si kontributorët ndër vite të Partisë Socialiste, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e përhershme që kanë treguar, ndërsa u ndal tek vëmendja që qeverisja e Partisë Socialiste ka treguar përmes përfshirjes në programin e saj të rritjes së pensioneve:

Gjiknuri theksoi se, “Tanimë Shqipëria i ka mundësitë të rrisë pensionet, por sidomos pensionet minimale. Në vitin 2026, pensioni minimal do të jetë 20.000 lekë dhe pensioni mesatar 40.000 lekë. Kjo është vepër e punëve të mira që ka bërë kjo qeveri dhe e mundësive financiare që tanimë i kemi. Rritja e pagave mesatare sjell më shumë kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore që do të thotë më shumë mundësi në fondin e pensioneve për të përballuar pensionet

Shqipëria ka hyrë në një trajektore zhvillimi por dhe krenarie kombëtare. Ju si ish-ushtarakë, që atdheun dhe detyrën e keni patur të shenjtë, tanimë, me qeverisjen që kemi, Shqipëria është një vend më dinjitoz”.

Gjiknuri u ndal tek investimet konkrete të realizuara në Delvinë nga qeverisja e Partisë Socialiste, duke pohuar se ka qenë një zë i fuqishëm që vazhdimisht ka lobuar për realizimin e investimeve në këtë zonë, ndërsa kërkoi mbështetje masive përmes votës për Partinë Socialiste dhe për emrin e tij si kandidat:

 

“Mora një vendim për rrugën Kardhiq-Delvinë dhe e bëra. Kam qenë ministër dhe e kam promovuar projektin e ujësjellësit për ujin e Delvinës, duke mbrojtur interesin e zonës që e kishte këtë nevojë. Infrastruktura, që është më e vështira për tu bërë, ajo është bërë. Referuar energjisë elektrike, furnizimi është më i mirë nga sa ka qenë. Të gjitha këto janë pasaportë e punës sime për këtë zonë. Kandidatura ime, si përfaqësues i Partisë Socialiste, ofron garanci politike, si një përfaqësues i denjë i PS-së, që i kam dhënë provat e mbajtjes së fjalës. Mos dëgjoni kur thuhet që në këto zgjedhje elektorale Damiani është i dalë apo s’ka nevojë Damiani për votë. Unë, nuk dua të punësohem në parlament për të mbajtur fjalime. Unë dua të jem me kredi politike, për të mbyllur dhe për të zgjidhur probleme, për të qenë zë i fortë, të jem një çelës që zgjidhen probleme. Këtë fuqi ma jepni ju me votën tuaj personale për kandidaturën time, përveç votës për Partinë Socialiste. Po mora votën maksimale nga qytetarët e Qarkut të Vlorës, unë, në këtë mandat, nuk largohem më nga qarku. Ky është angazhimi im. Vota juaj masive në Delvinë, Sarandë dhe në gjithë këto zona, më bën të jem në borxh moral me ju, më jep një kreditë, të drejtë dhe detyrim moral për të qenë përherë me ju, në shërbimin tuaj”.

 

Pensionistët dhe ish-ushtarakët në takimin e zhvilluar në Delvinë i garantuan kandidatit Gjiknuri mbështetje të padiskutuar përmes votës për Partinë Socialiste dhe për kandidimin e tij.

 

“Të gjithë ne që jemi këtu, papërjashtim, historikisht, nuk vihet në dyshim për Delvinën, që ne jemi të majtë. Sot më shumë se kurrë përballë muzgut që kemi përpara, duam dritën e diellit, kaltersinë e detit duam ujin e pastër që vjen vetëm nga Partia Socialiste. Ju Gjiknuri, pensionistët janë të vendosur deri në fund që votën do t’ia japin PS-së. Delvina është me ju dhe për ju, në mënyrë që ju të keni mundësi ta ndihmoni Delvinën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *