Aplikacioni online, parkimet, investimet? Erisa Çakalli e ka zgjidhjen
E reja e sjell të renë edhe në fushën e Turizmit. Këtë po bën Erisa Çakalli në Sarandë.
Një strukturë hoteliere e trashëguar prej gjyshërve në Sarandë, prindërit e lënë vetëm nga fëmija i vetëm dhe leximi i klimës shqiptare si të favorshme për të bërë biznes, do të bëheshin tri arësyet e forta të cilat e bënë Erisën 3 vite më parë, që Suedinë e Italinë, ku studjoi e punoi, t’i sjellë këtu, duke punuar me qasje europiane në truall shqiptar.
Në përgatitjet për këtë sezon, që thuajse ka nisur, në strukturën që menaxhon Erisa, duke sjellë risi, thotë se turisti do të gjejë kushte pushimi siç ata do të donin, gjë që ajo e di mirë, se njeh psikologjinë dhe kërkesat e tyre.
Vetë Saranda e kësaj vere hyn në sezon me një ndërhyrje drastike në disa prej rrugëve më të rëndësishme. Me konceptin: më pak vend për përdorim të makinës e më shumë mundësi për këmbësorin. Erisa thotë se kjo do të thotë edhe më pak parkime nga sa ishin dhe se Parkimi, që po ndërton Bashkia në hyrjen për në Sarandë, nuk mjafton. Por, kundër krizës së parkimeve ajo e ka të gatshme zgjidhjen nga eksperienca personale në vendet ku ka qenë.
Menaxhimi i hotelit, duke i dhënë më shumë përdorim teknologjisë, është një tjetër risi që Erisa po sjell. Ajo thotë se ka në dorë një aplikacion që turistit do t’i shkojë në celularin e tij, për t’i shërbyer jo vetëm për akomodimin apo guidën që ofrohet, por për një zinxhir shërbimesh turistike. Aplikacioni i saj ka informacion turistik dhe ofertën komplekse, pa munguar oraret dhe çmimet e taksive dhe transportit publik në Sarandë, e deri si e gjen e si e merr shërbimin spitalor. Një aplikacion ku përfshihet gjithçka që turisti i huaj është mësuar të marrë online në celular, në vendin nga vjen.
Prej 13 vitesh Erisa Çakalli mori shkollim e specializime intensive për ekonomi e turizëm, duke nisur nga Suedia, për t’u ngulur në Itali. Fitoi eksperienca menaxhimi duke punuar atje për llogari kompanish të mëdha amerikane dhe institucionesh të UNESCO-s.
Por i tha vetes “mjaft më” larg dashurisë së prindërve dhe dashurisë për Sarandën. Tanimë dijet e saj dhe qasjen europiane të të bërit turizëm, po i aplikon në “shtëpinë” e saj, që është Saranda dhe duke i ndryshuar faqe e brendi asaj strukture hoteliere, nga më të parat në Sarandë, ku ajo i takon brezit të tretë që menaxhon. (Thoma Nika)