Delvinë/Përkujtohet 225 vjetori i Kuvendit të Besës, moment historik për Shqipërinë
Në fshatin historik të Senicës, mbi Delvinë, u përkujtua 255-vjetori i Kuvendit të Besës, një moment i rëndësishëm i qëndresës shqiptare kundër sundimit osman.
Banorë vendas dhe emigrantë nga Greqia, Italia e Anglia, bashkë me seniciotë të shpërngulur në qytete të ndryshme, u mblodhën në Kodrën e Burrave për të nderuar këtë ngjarje.
Kuvendi i vitit 1770, i njohur si Kuvendi i Besës, mblodhi përfaqësues nga krahinat e Shqipërisë së Jugut: Delvina, Himara, Labëria, Lumi i Vlorës, Zhulati, Rrëzoma, Bregdeti dhe Çamëria. Nismëtar ishte kryeplaku i Senicës, Kostë Koka, i njohur edhe si Kostë Prifti. Pas bisedimeve paraprake me krerët e fshatrave të jugut, Senica u zgjodh si vendi i mbajtjes së Kuvendit, për pozitën e saj strategjike dhe si shembull i bashkëjetesës fetare në zonë.
Gjatë tri ditëve të Kuvendit, pjesëmarrësit refuzuan taksat e rënda të Perandorisë Osmane dhe kundërshtuan rekrutimin e djemve si ushtarë në luftra të huaja. Në dy kamaret e Kodrës së Senicës u vendosën Kurani dhe Bibla, si simbol i unitetit pa dallim feje.
Në përkujtimin e kësaj ngjarjeje historike, kryetari i fshatit, Llambi Nika, theksoi se Kuvendi i Besës mbetet një gur themeli i identitetit kombëtar. Biznesmeni Thodhori Miho vlerësoi rëndësinë e trashëgimisë historike, ndërsa avokati Gjergji Imeraj e cilësoi këtë si një mesazh bashkimi për të gjitha kohët.
Senica, i vetmi fshat ortodoks mes shtatë fshatrave të Rrëzomës, 255 vjet pas kuvendit të Besës përcolli sërish një thirrje të qartë, atë të ruajtjes dhe nderimit të vlerave që na bashkojnë.