Rama rikthen “Memorandumin e Kuçit”: Marrim 77 mandate, rezultatin do ta shkruaj te ai lokali si në 2021

Kur na ndajnë 24 orë nga nisja e fushatës për zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’Sy”, ka shprehur bindjen se Partia Socialiste do të dalë fituese me më shumë se 77 mandate.

Duke vendosur në pikëpyetje votën e shqiptarëve për rivalin e tij Sali Berisha, të cilin e cilësoi si të roitur, Rama riktheu në vëmendje “Memorandumin e Kuçit”, duke thënë se rezultatin do ta shpallë atje siç bëri në 2021.

Shqipëria krenare në arenën ndërkombëtare. Përpara Samitit Europian Politik do të vijë kryeministri britanik. Vetëm njëherë ka ardhur një kryeministër britanik, edhe atëherë ka shkuar në Kukës për arsye humanitare. Ka pasur shumë të tjerë që kanë ardhur për herë të parë. Pse? Ngaqë ky vend është narko-shtet? Mos votofshi kurrë për mua, por si mund të hani këto idiotësira? Si mund të shkoni pas një të roituri që i fiket llamba tre ditë për shkak të moshës. Nuk e di rezultatin, ndoshta fitojmë më shumë edhe se 77 deputetë, do të shikohet. Kur të fitojmë, nis sërish ky ka vjedhur. I keni parë celulat e PS, ne komunikojmë çdo ditë e natë me popullin. Rezultatin do ta shkruaj në Kuç, atje te ai lokali, në majën e lartë, siç bëra në vitin 2021”, tha Rama në rubrikën “Sy m’Sy”.

Kujtojmë se në një lokal të fshati Kuç, në Labëri, Rama gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021, shkroi në një mbulesë tavoline se PS përballë PD së Lulzim Bashës do të merrte 74 deri në 78 deputetë.

Rama e lexoi para banorëve atë që shkroi duke shpallur Damian Gjiknurin si “noterin” e asaj deklarate të tij.

“Ne do marrim 74 deri në 78. Pastaj po bëri ky ndonjë tërmet të madh shkojmë edhe 80. Kukës 1, Dibër 3, Shkodër 4, Lezhë 3. Tirana 19, Elbasan 8, Korçë, 6, Berat, 5, Fier, 10, Vlorë, 9, Gjirokastër, 3, 79, u bëtë të gjithë si Luli. Tani, unë iu thash 74, deri në 78, tani. Këta zotërinj që ta dish ti, këtu, në zonën poshtë penalltitë i gjuajmë ne, ndonjë penallti është në shtyllë, rezultati final 74 deri 78. Votat tek numri 12. Noteri është Damian Gjiknuri. Damian firmose. Mos e firmos nëpër lule që të thonë nuk ka firmosur. Memorandumi i Kuvendit Zakonor Kuç”, tha Rama asokohe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *