“Merrini erë”- Peshkatari derdh kovën me midhje në sallën e Këshillit Bashkiak
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit Bashkiak të Bashkisë Sarandë. Në një moment të caktuar të mbledhjes, një kultivues i midhjeve në liqenin e Butrintit ka hyrë në sallë dhe ka derdhur përtokë një kovë me midhje.
Akti është bërë në shenjë proteste kundër mosveprimit të strukturave lokale për të mbështetur këtë biznes.
Kultivuesit e midhjes janë shprehur se ndjehen të braktisur, duke theksuar se nuk kanë marrë mbështetje nga autoritetet lokale për të përballuar problemet që po hasin në biznesin e tyre. Ata kanë kërkuar një reagim më të shpejtë dhe efikas nga Këshilli Bashkiak dhe autoritetet përkatëse për të adresuar situatën që ka ndikuar negativisht në punën e tyre dhe mbijetesën e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë lokale.
“Shikoni në çfarë gjendje është midhja në liqenin e Butrintit, nuhateni aromën e midhjes që po vdes. Nuk po bëjmë shaka”, thotë kultivuesi i midhjes.