Midhja e Butrintit vjen më e mbarë, por do ende kujdes dhe punë
Nga Thoma Nika
Në këto ditë shkurti impiantet e kultivimit të midhjes në Liqenin e Butrintit, janë pjesë e peizazhit piktoresk që të shoqëron në udhëtimin nga Manastiri në Ksamil.
Në to rriten gjallesat e midhjes së re.
Në Qendrën e Deporimit të Midhjes, ku në kohë sezoni kalon i gjithë prodhimi dhe çertifikohet për treg, këto ditë vetëm në dukje janë qeta.
Inxhinieri i kësaj Qendre Elvis Mustafa është në punë, megjithëse në krye të një stafi të vogël.
Ai vlerëson se, pas asaj që ndodhi një vit më parë, fara e midhjes është rimëkëmbur dhe pritshmëritë janë për prodhim të mbarë.
Monitorimi është një proces që nuk ndalet. Për ta mbajtur prodhimin e ri në kontroll të vazhdueshëm, Qendra e Deporimit të Midhjes bën marrjen e analizave, të cilat vlerësohen nga instituti i Sigurisë Ushqimore.
Ndërkaq, duket se u është dalë përpara me programim të mirë, dy prej punëve që garantojnë prodhim të mbarë të midhjes, duke e mbrojtur nga temperaturat e larta të verës.
Ing. Mustafa thotë se është programuar freskimi në kohë i ujërave të Liqenit nga lumi i Bistricës dhe thellimi i Kanalit të Vivarit, për hyrjen e ujit të kripur.
Në Liqenin e Butrintit kultivohet prodhimi i midhjes në 80 impiante. Midhja është e njohur si Mbretëresha e Liqenit të Butrintit dhe rritet atje ku takohet uji i kripur i detit me ujin e ëmbël të Liqenit.