Personazh: Me grep e shtiza në bulevardin e Sarandës

Nga Thoma Nika

Në ditë me diell si e sotmja, Naileja këtë bordurë me gurë të skalitur buzë shetitores, e ka edhe tezgë për shitjen e prodhimeve të dorës, edhe “studjo”, ku grepi dhe shtizat, nuk i lë mënjanë.

Ka ardhur nga Skrapari në Sarandë këtu e 30 vite të shkuara. Shitësja e njohur ndër skraparlinjtë erdhi familjarisht e u ngul në qytetin e Diellit. Dhe e mbështeti ekonominë e familjes te 2 shtiza e një grep, tek syri dhe aftësia e saj për të thurrur.

Kujton se ka nisur të tregtojë nga hoteli i vetëm turistik që kishte Saranda në vitin 1992, duke u ofruar turistëve të huaj. Me çentrot e saj, me shalle e pupa leshi për fëmijë e të rritur. Kështu vazhdoi deri në 1997, kur ky “treg” u trondit nga 1997a.

Kur kohërat u qetësuan, vendi i saj është këtu në shetitore. Dhe thotë se ushqen pasionin, por shton edhe pensionin 90 mijë lekësh të vjetra, që merr nga shteti.

Tregon se pasionin e saj ka mundur t’ia kalojë edhe vajzës së saj të vetme.

I ndjekim me kamera lëvizjet e saj të shkathta, teksa punon e krijon me grepin e saj. Sikur do të rrëfejë me punë se gjithçka që ka ekspozuar mbi bordurën e gurtë, ia bën dora dhe nuk shet punën e të tjerëve.
Naile Metës i këndon puna në duar.