Jorgo Goro del përpara gjykatës, pranohet kërkesa për gjykim të shkurtuar

Këtë të hënë, 27 janar, u mbajt seanca gjyqësore në themel për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, i cili akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në dy raste dhe mosdeklarim të pasurisë.

I pranishëm në sallën e gjyqit, ish-kryebashkiaku deklaroi se i qëndron kërkesës së bërë në seancën paraprake për zhvillimin e gjykimit të shkurtuar.

Prokurori i çështjes, Ols Dado, theksoi se është provuar shpërdorimi i detyrës në dy episode, si dhe mosdeklarimi dhe fshehja e pasurisë nga ana e ish-kryebashkiakut.

Gjyqtari i themelit, Ardit Mustafaj, pranoi kërkesën e Goros për procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Përveç Jorgo Goros, gjykimi me procedurë të shkurtuar ka nisur edhe për ish-zyrtarët e tjerë të bashkisë, Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho. Ndërkaq, ish-kreu i Kadastrës Vlorë, Bilbil Aliaj, do të gjykohet me procedurë të zakonshme.

Lidhur me Aliajn, gjykata vendosi ndarjen e çështjes nga ajo e të tjerëve.

Gjykimi vijon me shqyrtimin e provave dhe dëgjimin e palëve për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore të të akuzuarve.

Në seancën e radhës, të caktuar për datën 10 shkurt, në orën 13:00, Prokuroria e Posaçme do të paraqesë pretencën për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, dhe të tjerët e përfshirë në këtë çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *