VIDEO/ Rivitalizimi i shëtitores “Naim Frashëri” në Sarandë, kryebashkiaku Gurma: Loti i parë pritet të përfundojë në qershor

Në Sarandë, një nga qendrat e rëndësishme turistike në jug të vendit, vazhdojnë me ritme të shpejta punimet në shëtitoren “Naim Frashëri”, e cila pritet të ketë një pamje të re dhe infrastrukturë moderne.

Kryetari bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma, tha sot për ATSH-në se “punimet janë përqendruar në lotin e parë të shëtitores, nga limani deri tek plazhi i Centralit. Punimet do të vazhdojnë  me ritme të larta me qëllim që javën e dytë ose të tretë të qershorit të përfundojnë dhe shëtitorja të jetë e aksesueshme për turistët gjatë sezonit veror”.

“Me shpresën se situata e pazakontë e krijuar nga COVID-19 do të tejkalohet  dhe kthimi ne normalitet të jetë sa më afër përgatitemi që të jenë të gjitha gati për sezonin turistik”, – shtoi Gurma.

Ai u shpreh se “pjesë e punimeve për transformimin e këtij loti janë edhe dy platforma që do të ndërtohen përgjatë shëtitores për të organizuar festa dhe  për ta bërë të prekshëm për qytetarët dhe turistët këtë investim. Një platform do ët ndërtohet tek Infopoint ose tek “Globi” siç njihet nga sarandiotët, ndërsa tjetra në fund të shëtitores në pjesën jugore të saj”.

“Punimet për pjesën tjetër të shëtitores pritet të rifillojnë në shtator dhe nuk do të ndërpriten deri në përfundim të projektit”, – tha Gurma.

Kryebashkiaku i Sarandës bëri të ditur se “punonjësit në kushtet e situatës së epidemisë janë me masa mbrojtëse dhe ruajnë distanicimin fizik”.

Shëtitorja “Naim Frashëri” pritet të kthehet në një hapësirë publike shumëfunksionale dhe në shërbim të banorëve e pushuesve gjatë sezonit. Parashikohet restaurimi i fasadave në gjithë gjatësinë me qëllim përmirësimin e estetikës.

Gjithsesi në shëtitore do të mbizotërojnë elementë që e ruajnë identitetin e qytetit si për shembull porta hyrëse e Onhezmit, skulptura të realizuara nga artistë lokalë, sheshi i shatërvanit, pemët ekzistuese dhe zonat e gjelbra, pishina e hapur, etj.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.

L????VE-NGA SARANDA-GJATË PUNIMEVE PËR RIVITALIZIMIN E SHËTITORES “NAIM FRASHËRI”https://ata.gov.al/2020/04/13/video-foto-rivitalizimi-i-shetitores-naim-frasheri-ne-sarande-krybashkiaku-gurma-per-atsh-ne-loti-i-pare-pritet-te-perfundoje-ne-qershor/

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on Monday, 13 April 2020