Shiste celularë dhe aksesorë të kontrabanduar me vlerë 20 mijë euro, arrestohet 61-vjeçari në Sarandë (EMRI)
Një 61-vjeç është kapur në flagrancë duke shitur celularë dhe aksesorë të kontrabanduar në Sarandë.
Mësohet se Bujar Çupit i janë sekuestruar 134 celularë, mbi 350 aksesorë celularësh dhe ora dore të markave të ndryshme, me vlerë rreth 20 000 euro.
Njoftimi i Policisë:
U kap në flagrancë duke shitur celularë dhe aksesorë të kontrabanduar, arrestohet 61-vjeçari.
Sekuestrohen 134 celularë, mbi 350 aksesorë celularësh dhe ora dore të markave të ndryshme, me vlerë rreth 20 000 euro.
Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kontrabandës së mallrave, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Vlorë ka goditur një rast të shitjes së mallrave të kontrabanduara. Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi:
B.Ç., 61 vjeç, banues në Finiq, për veprat penale “Tregtimi i mallrave kontrabandë”, “Ruajtja e mallrave kontrabandë”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”.
Ky shtetas u kap në lagjen nr. 2, Sarandë, duke shitur celularë dhe aksesorë të ndryshëm, të dyshuar të kontrabanduar.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi 134 aparatë celularë, mbi 350 aksesorë celularësh dhe ora dore të markave të ndryshme.