Na iku Daniela më e mira e motrave Marçelino…
Nga Thoma Nika dhe Vladimir Kodhelaj
Dita e fundit e 2024-ës paskësh qenë e fundit edhe për jetën e një Personazhi ikonë të Humanizmit, Socializimit dhe Bamirësisë, të ardhur tek ne nga brigjet italiane gati tri dekada më parë. Është Motër Daniela, milanezja Daniela Silvestrini.
Me Qendrën Sociale “Motrat Marcelina”, që drejtoi me urtësi, durim e aktivizëm të pashembullt, hyri aq shumë e aq thellë në jetët njerëzore, sa u bë burim shprese për të vrarë papunësinë e varfërinë dhe shkëndijë e kulturimit sipas një qasjeje të ndryshme.
Ajo do të spikaste si misionare dhe humaniste e madhe atje në Sheshin qendror të Sarandës, ku do të shihej të shkarkonte dhe shpërndante vetë ndihmat humanitare e medikamente për familjet kosovare, që i kishin shpëtuar një eksodi barbar dhe mbërritën në atë Sarandë që i priti e mbështolli me dashuri. Ky ndoshta do të ishte akti i parë i një misioni 30-vjeçar në shërbim të qindra njerëzve e familjeve këtu, që morën jo thesht asistencë humanotare, por edhe dituri e qytetari nga Figura dhe Drita e saj e Mirësisë.
Është shumë domethënëse ajo që kujtoj tani nga një reportazh i bërë në vitet e mungesave të mëdha, me banorë të Fshatit Shëndëlli, përtej Butrintit, të cilët më thanë se Kryeministrja jonë është Motër Daniela…Po kujt kjo Zonjë me fytyrën plot dritë, nuk i dha Mirësi e Humanizëm nga vetja e saj, si Misionare e përkushtuar për të përmirësuar diçka në fatet njerëzore në jugun shqiptar?! Ja përse të gjithëve u ra si plumb ikja nga jeta e Fisnikes Daniela Silvestrini.
Me ndarjen e saj nga jeta, Saranda humbi një Njeri të vlerë dhe një kujdestare të dedikuar ndaj njerëzve më në nevojë dhe ndaj komuniteteve të lënë në skaj të vëmendjes. Atje ku kjo vëmendje mungonte, shkonte syri dhe ndjeshmëria e Shtëpisë së Suorave.
M’u desh te shkoja në atë Shtëpi Sociale, të ngritur atje në periferi të Sarandës, edhe në kohë Covidi. Sepse dihej që atje do të gjeje optimizëm për kalimin e te keqes. Një simbol Ylberi, me mozaik ngjyrash, rrethuar nga lule që vinin nga ai shpërthim I pranvere të virusuar, më dhanë ndjesinë se mundemi ta mundim edhe shpërthimin e virusit. Si kurorë të atij tapeti lulesh, që kishte veshur fasadën e ndërtesës, lexova një mbishkrim shprese, shprehur nëmnjë slogan të thjeshtë, që ma çoi mendimin tek ata, mushkëritë e të cilëve nuk ngopeshin me frymë dhe në ndihmë u vinin aparaturat intubuese, që dërgonin oksigjen në organet jetike.
“GJITHCKA DO TË SHKOJË MIRË”. Ky ishte sllogani, që më erdhi në trurin dhe në mushkërinë time si nje dozë oksigjenimi, që të gjithëve na nevojitej në ato “kohë kolere”.
Akoma edhe më shume fuqi për rezistencë për ekzistencë jepte ai mesazh. Për arësyen fare të thjeshtë: se mesazhi oksigjenues vinte nga institucioni që patën themeluar dhe mbanin në këmbë prej gati dekadash Motrat Marcelina, misionare kulture nga Italia mike.
Jo pak, por një e treta e jetëve botëtore të humbura e tëmë rrëmbyera nga coronavirusi, rregjistroheshin në Italinë e këtyre Motrave. Ndërsa në këtë pjesë Italie, që gjeje këtu në Qendrën Sociale “Motrat Marcelina”, në Sarandë, rrezatohej dhe shpërndahej kaq shumë optimizëm dhe dritën që na duhej për ta fituar atë Luftë, e konsideruar Lufta e tretë dhe e katërt botërore bashkë.
Mbaj mend se dola nga ajo portë dhe vetiu përsërita slloganin “#sebashkudotiadalim”, aq të
përdorur ndër ne në ato javë karantinimi. Mendova se oksigjenimi i trurit ndihmon, pët t’i qëndruar larg virusimit dhe pët të marrë frymë natyralisht.
Prej 31 dhjetorit 2024, Motër Daniela nuk frymon më. Por është vepra e saj që frymon. Vepra e saj e thjeshtë, por madhore, është atje te Qendra “Motrat Marcelina”, e cila funksionoi rigorozisht sipas programeve mësimore e didaktike të modelit italian të edukimit. Frymon tek qindra fëmijët që kanë marrë dashuri për kulturën dhe gjuhën italiane, tek qindra familjet e mbështetura në orë të vështira, me asistencë humanitare, apo qindra të moshuar, që u kanë shkuar medikamente cilësore falas.
Ajo ikën nga Jeta, por jo nga Kujtesa komunitare e njerëzve në gjithë këtë Rajon. Arësyeja është fare e theshtë: sepse Qendra Sociale “Motrat Marcelina”, që ajo drejtoi me maksimum ndjeshmërie për nevojat e shumta dhe dinjitetshëm, kishte ngritur “filiale” të vetat në çdo lagje në qytet dhe në çdo shtëpi e familje fshati. Punë, qasje dhe sjellje të tilla, nuk është e mundur të zhbëhen.