Gjykatat sekuestruan bazën detare të Limionit, Rama: Ndërhyrje brutale në pushtetin ekzekutiv! Po bllokohet investimi 300 mln euro

Kryeministri Edi Rama e cilësoi investimin strategjik të portit në zonën e bregdetit të Sarandës, në bazën e detare të Limionit, me një rëndësi për vendin dhe të ardhmen.

Ai e mbrojti projektin dhe investimin pas pyetjes që iu bë dhe faktit se tashmë për atë investim ka edhe probleme juridike dhe vendim të Gjykatës Kushtetuese, që e mban të sekuestruar. Rama e cilësoi vendimin si jo të drejtë, por jo se e komentonte, pasi tha se “nuk komenton vendimet e drejtësisë”.

Por theksoi se ky investim nuk cenonte sigurinë kombëtare apo të mbrojtjes, por e zhvillonte turizmin dhe i shërbente vendit.

“Ndërhyrje brutale në pushtetin ekzekutiv… Nëse cenohet siguria kombëtare e mbrojtjes nga baza e Limionit, atëherë marrim avionin unë i pari dhe ju më tej, e ikim nga Shqipëria. Po bllokohet një investim 300 mln euro dhe nuk po lejohet që ato jahte, mjete lundruese, veliera dhe të tjera, që tani parkohen në Malin e Zi, të ankorohen në Sarandë dhe t’i shërbejnë turizmit dhe zhvillimit të vendit”, tha kryeministri.

Në muajin nëntor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka rrëzuar kërkesën e kompanisë “Marina Bay Saranda”, për heqjen e sekuestros mbi bazën detare të Sarandës, në mënyrë që të nisë puna për zhvillimin e saj.

Ashtu siç ka ndodhur me tre shkallët e tjera të drejtësisë, edhe Kushtetuesja e ka rrëzuar kërkesën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *