Konispoli, bashkia kampione për prodhimin e mandarinave
Bashkia e Konispolit, në skajin më jugor të Shqipërisë, është sot prodhuesi kryesor i agrumeve. Kryetari i bashkisë Ergest Dule shpjegon në emisionin “Vendi Im” se falë emigracionit në vitet 90 banorët mësuan nga Greqia fqinje peshën që ka kultivimi i agrumeve. Dhe sot Konispoli eksporton agrume jo vetëm në rajon, por edhe në BE.
“Pjesa me Greqinë na ka shërbyer si model sepse dihet pas periudhës së komunizmit secili bëri atë lëvizjen për të gjetur mundësi te reja ekonomike dhe kështu ndodhi edhe në Konispol. Por, afërsia me kufirin një pjesë të banorëve i mbajti afër dhe kultivimin e agrumeve jo vetëm e kopjuan si model por arritën ta bëjnë më së miri në tregun shqiptar dhe sot jemi numri 1 për prodhimin e agrumeve.
– Kryesisht agrumet eksportohen apo janë për tregun vendas?
– Një pjesë e vogël për tregun vendas, por pjesa më e madhe eskportohet. Shumica në rajon, në Kosovë. Por edhe më tej pasi ka filluar ambalazhimi e paketimi që i shërben tregut europian, “shpjegon kryebashkiaku Dule.
Por sfida e qytetarit të parë të Konispolit është si ta bëjë këtë bashki një destinacion të rëndësishëm turistik. Konispoli ofron traditë, histori e gatime fantastike.
“Të vish të hash një byrek çam siç i thotë kjo zonë jonë,” është ftesa e kryetarit të bashkisë së Konispolit.
Afër Sarandës dhe Ksamilit që janë zonat më të frekuentuara në Shqipëri, kryebashkiaku synon të zgjojë interesin e turistëve për të ndaluar një ditë në Konispol.
“Pjesa dërrmuese e turistëve vjen deri në Sarandë, Ksamil dhe ky është turizmi i diellit, i detit. Por nëqoftëse duan ta shtrijnë aktivitetin më tej, mund të shfrytëzojnë Konispolin, Delvinën, Finiqin për një ditë ndryshe nga rutina e shtrirjes në rërë,” thekson kryebashkiaku Ergest Dule.
Nga ana tjetër Konispoli si çdo zonë e Shqipërisë përballet me sfidën e largimit të njerëzve. Shkolla ka, janë të rikonstruktuara, por numri i fëmijëve sa vjen e ulet.
“Nuk është numri që ka qenë. Vetë lëvizja demografike bën që të mos jetë numri i nxënësve si ka qenë. Por edhe numri i lindjeve ka rënë, gjyshja ime bëri 12, unë dy kam bërë.”