Xhani italiani: I punësuar “master chef” në Sarandë

Nga Thoma Nika

Xhani Katalogna është italiani që ka gjetur veten duke u punësuar si Master Chef në një prej restoranteve të Sarandës.

Kuzhina italiane është Profesioni dhe jeta e tij. Edhe ky sezon turistik e gjen atë në krye të stafit të kuzhinjerëve në shërbim të turistëve.
Megjithëse shqipja e tij është e përzer me gjuhën amtare, Xhani arrin të na thotë se nuk punon për pare, por për kënoqësi. “Punoj per piacere” na thotë, duke shpjeguar se merr pension të lartë nga Italia dhe nuk është i dhënë pas lekut.

Pasioni për të përhapur kuzhinën italiane në Sarandë, nuk i jep luksin të shijojë si një turist detin apo atraksionet e tjera të Sarandës, kur ato që di të bëjë në artin e kulinarisë, mund t’i ofrojë falas për operatorë turistikë. Ata janë pjesë e miqësive të tij në qytetin kryeqendër të turizmit në jugun shqiptar.

Si një Master Chef me përvojë të admirueshme, Xhani ta jep në pak minuta picën e nxjerrë nga furra e drurit. Sidomos Pasteria është specialiteti ku ai e tregon veten “magjistar” kuzhine. Tek e fundit, është i ardhur nga vendi ku gatimi i makaronave është një dashuri, pasion dhe shije identitare.

Duket  ai nuk bën asgjë ndryshe në përgatitjen e recetave të pastave tipike italiane. Por shija e veçantë që merr, kur konsumon një pjatë makarona nga duart e Xhanit, bën diferencën.

Për aftësinë dhe fantazinë e Master Chef Xhanit kanë nevojë klientët. Kanë nevojë edhe kuzhinherët e rinj. Anxhela është njera prej tyre, e cila thotë se ka 6 vjet si asistente e Master Xhanit, i cili nuk mban sekrete për vete.

Italiani Xhani ra në dashuri vite më parë me Sarandën. Këtu gjeti edhe bashkëshorten, e cila është ndarë nga jeta, duke ia lënë Xhanit rritjen dhe edukimin e dy vajzave të tyre.
Xhani italiani mbetet një personazh simpatik i turizmit të Sarandës, që fal mjeshtëri dhe energji, aftësi krijuese si Master Chef dhe modelin e “dashnorit” të profesionit.