Zgjedhjet në Himarë, socialistët e demokratët kanë kohë 2 javë për të shpallur kandidatët

Socialistët dhe demokratët kanë kohë vetëm dy javë për të shpallur kandidatët për garën e parakohshme të 4 gushtit për bashkinë e Himarës.

Sipas kodit zgjedhor KQZ ka afat deri në 14 korrik për të ngritur komisionin zonal e më tej edhe të qendrave të votimit.

Fill pas kësaj por jo më larg se 19 korriku do të duhet të regjistrohen partitë pjesëmarrëse në garë e po ashtu edhe emrat që do të jenë përballë njëri tjetrit por që nuk do të kenë më shumë se dy javë afat për fushatën elektorale dhe për prezantimin e programit të tyre

Deri më tani Në radhët e demokratëve, emri që përflitet si kandidati i mundshëm është Petro Beleri, djali i ish-kryebashkiakut të zgjedhur në garën e 14 majit Fredi Beleri i cili është dënuar me  dy vite burg për blerje të votave.

Në radhët e socialistëve emri i përfolur është Prefekti aktual i Vlorës, Vangjel Tavo.

Burime bëjnë me dije se Tavo ka lënë ditën e hënë për të konfirmuar nëse do të përfshihet në garë apo nëse të majtët do të duhet të zgjedhin një emër tjetër.

Megjithatë procesi është cilësuar antikushtetues nga opozita.

Ivi Kaso deklaron se nuk u respektua ligji dhe e drejta e ankimit

”Fredi Beleri duhej të betohej dhe të merrte mandatin dhe më pas mund të shkarkohej nga Edi Rama siç parashikon edhe Kushtetuta.

Presidenti ka zbatuar një akt administrativ që nuk ka filluar efektet dhe pasi nuk ka mbaruar afati i ankimit të subjektit madje pa filluar ende afati i ankimit”, tha Kaso.

Por burimet nga presidenca kanë shtuar se presidenti është i detyruar nga afatet të vendos datën pas vakancës, ndërsa kjo nuk zhvlerëson procesin e ankimimit.

Gara e re për Himarën erdhi pas vendimit të kryekomisionerit për ti hequr mandatin belerit për shkak të dënimit.

Kodi elektoral përcakton se është KAS që shqyrton prapësimet dhe në shkallën e fundit është Kolegji Zgjedhor.