Personazh 2024: Trompisti i bandës Mbretërore të Zogut, dirigjent në Sarandë

Nga Thoma Nika

Fjala është për Illo Papadhimën, dirigjentin historik të Bandës Frymore të Sarandës, të themeluar më 1967.
Nën vlerësimin e sotshëm, krijimi në më shumë se 55 vjet të shkuara dhe jeta koncertore e një fanfare në një qytet të vogël e të skajshëm si Saranda, të shfaqen si një arritje që të ve në mendime. Saranda ishte qyteti që la pas në këtë pikë jo vetëm qytete të tjerë të vegjël, të “sërës” së saj, por edhe të tjerë, me tipare të spikatura qytetare si Gjirokastra fqinje. Atë Gjirokastër, nga e cila ka mbajtur sytë tërë kohën, duke “huajtur” tradicionalisht edhe drejtuesit e vet. Në këtë kontekst, një Sarandë me fanfarën e saj, ishte një shenjë e fortë kulturimi.

Shkopi i dirigjimit të kësaj trupe muzikore, ra në duart e një muzikanti si Illo Papadhima.

Në fakt, koncertet e para u organizuan nën dirigjimin e Limos Dizdarit. Djaloshi i pashëm, i cili u printe njerëzve që “prodhonin” tinguj e melodira marciale nëpër rrugët e Sarandës, ishte Limos Dizdari. Një shef muzike “qumështor” sa kishte mbaruar “artet”, që atëherë nënkuptoheshin me fjalën “konservator”. Ende nuk e kishte një emër, por kishte një barrë ëndrra dhe shumë pasion artisti. Nga lëvizjet e shkopit të dirigjentit në ecje e sipër kaçullelat e bukura i kërcenin mbi ballë, teksa drejtonte ata njerëz që u bënë “çudia” e bukur e qytetit. Djaloshi I ri nga Rusani i Delvinës e kish ndarë mendjen t’ja prishte përgjumjen këtij qyteti. Me mjetin më të sigurtë e më të këndshëm – muzikën.

Por ata që e bënin muzikën marciale, kishin nevojë të punonin e të aftësoheshin gati përditë, për t’u ushtruar në instrumentin që luanin. Kjo kërkoi që dikush tjetër të merrej me drejtimin e trupës, të paktën tri herë në javë.

Dirigjenti flokëbardhë

Kështu do të ndodhte që muzikanti i ri Dizdari, do ta shkarkonte këtë barrë tek plaku I mësuar, tek nivicioti Illo Papadhima, të cilit që në ato vite, plot dashamirësi, i thërrisnin “Barba Illo”.

Këtë “zanat” ai e kish “vjedhur” kur qe ushtar. Dhe kishte përparuar jo pak, derisa ia doli të ishte trompist për vite të tëra në bandën mbretërore të Zogut në Tiranë. Përgatitjen dhe dashurinë për një formacion të tillë muzikor, e kishte. Dhe u tregua i gatshëm e i aftë ta merrte përsipër drejtimin e fanfarës. Ndjeu nga afër edhe ndihmën e kualifikuar të profesorit të trompës Osman Banushi, të klarinetistit të dëgjuar në vend Ramazan Kaponja e të tjerëve, që vunë dorë prej profesioniatëah të afirmuar në shkallë vendi për rritjen e shpejtë cilësore të trupës së fanfarës së Sarandës. Me asistencën e tyre të pandarë dhe me Barba Illon e përkushtuar në krye, Banda Frymore do të merrte fytyrë e do të ishte prezente në gjithë “sebepet” e mëdha festive, promovuese e deri dhe mortore të qytetit. Por, edhe pa pritur këto “sebepe”, shkallët e podiumit të koncerteve në sheshin e qytetit trupa e fanfarës i ngjiste të paktën çdo 3 muaj.
Ishte vërtet e mundimshme të formatohej Banda Frymore. Ishte një sfidë më vete që në moshën e thyer të Barba Illos, të mund të përfitohej maksimumi në seancat e provave, pasi jo të gjithë të përfshirët në atë trupë muzikore, njihnin notën dhe mundeshin të kapnin ritmin e ngjyrimin muzikor. Por ai që nuk u bë dot asnjëherë prind, punoi që fanfarën t’ia linte qytetit si trashëgiminë e vetme të tij. Nuk kish preokupacion tjetër më të madh për të, se sa që fanfara të ishte fanfarë. Dhe e përsëriste shpesh:

-E dini ju si do dukej Saranda pa fanfarë? Si një kostum i bukur, të cilit nuk i është qepur jaka…
Që kostumi modest i qytetit turistik, të prerë sipas kohës, të kish të paktën një “jakë” simpatike, Barba Illua punoi fort, me të gjitha mundësitë dhe me të gjithë bagazhin muzikor.

Partiturat e fanfarës mbanin për titull nga Hymni I Flamurit, te marshi “Kushtrimi I Lirisë”, te Marshi I Fizkulturistëve e deri tek më befasuesit, që ishin fragmenti i korit “Nabuco”, marshi funebër nga Shopen etj., etj.

Erdhi banda…

Nje kënaqësie të përzier me habinë, provuan qytetarët e Sarandës një ditë të vitit 1967, kur në rrugët e saj panë të ecnin e të “bënin muzikë” me veglat frymore në buzë, ca njerëz që I njihnin edhe për fytyrë e emër për emër. Të shumtët ishin të njohur si “ustallarë hekurash” në ish-parkun e mallrave: Jani Camandjoti e Llambro Vogli frezatorë, Spiro Kaci e Jorgo Çondi, tornitorë; elektroautët e përsosur Sotir Klironomi e Ilki Preja. Fanfara bashkoi me ta edhe tipografët e vjetër Thanas Angjeli e Spiro Nikolla, rrobaqepësin Kristo Liti, ndërtuesin Dhanil Plaku, speciakistin e hidrovoreve Dhimo Lira, këpucarin Esat Telha, që mori edhe të vëllanë, Fatmirin, një talent në klarinetë. “Repart” më vete krijonte Thoma Zhupa me grand-kasën e vet, rrypi I së cilës ia lodhte supin e pakët, por i jepte kënaqësi. Këta iu bashkuan profesionistëve Fani Nako e Andrea Rafti dhe vëllezërve virtuozë Luan e Agim Halili, si dhe trompistit të diplomuar Pajtim Hodri. Së bashku krijuan fanfarën e qytetit, që për më kollaj thirrej “banda”.

Kjo ishte bërthama, së cilës iu bashkuan deri edhe gjimnazistë të vitit të parë: Nikua, Spirua e Thomai.

– Në fakt ajo ishte një trupë amatore- kujton Sotiri- e krijuar me pjesëmarrjen e 24 vetave, të zgjedhur prej atyre njerëzve që në shtëpinë e kulturës së asaj kohe, gjenin diçka nga ngrohtësia e shtëpisë…

– Me kalimin e viteve, e kuptojmë qartazi se edhe bërja e Sarandës me fanfarën e saj-thotë dirigjenti i sotëm Namik Xhaferi- ishte pjesë e guximit dhe e “marrëzisë” së një të riu, që donte të tregojë ç’është në gjendje të bëjë për qytetin e vet. Themeluesit bënë atë që mundën.

Kështu lindi e u mëkëmb ajo trupë modeste e 24 amatorëve të veglave të frymës: trompat solistike dhe harmonike, tromponat tenor dhe bas, klarinetat e deri tek pjatat e Ilkiut.

Repertor dhe kostume

Me kohë fanfaristët u bënë më të dallueshëm e më “zyrtarë” me kostumet që vishnin nëpër koncertet që jepnin. Jani Camandjoti, që për shumë kohë ishte edhe “kujdestari” që mbajti regjistrin e mungesave nga provat dhe koncertet, kujton se deri në vitet ‘90 patën ndërruar katër kostume të hijshme, të qepura nga rrobaqepës klasi, si: Miço Gaço e Jorgo Çakuli me shokë dhe me stile që varjojnë nga klasikja tek kostumi i parë e deri tek sportivi në të fundit.
Më “veteranët” kujtojnë se edhe shpërblimi nuk ishte I keq për kohën. Niko Gjini, ish-gjimnazisti I atëhershëm, sot 70-vjeçar, ruan ende si relikë një librezë kursimi, ku fuste 1000-lekëshin e përmuajshëm që merrte si shpërblim nga fanfara.

Asnjë tingull në funeralin e Maestros!

Një ditë, në një moshë rreth të 80-ave, dirigjenti I parë i bandës mbylli sytë. Ende nuk kish perënduar koha e diktaturës. Për ta nderuar e për t’i njohur meritën e asaj krijese që i la qytetit, ishte një dëshirë e vetvetishme ajo që përcjelljen për në banesën e fundit t’ia bënin “nxënësit” e tij. Me gjuhë muzikore, duke I bërë veglat të qanin në funeralin e tij. Por : jo!

– Guxova dhe e çova këtë kërkesë në dyert e Komitetit të Partisë-na thoshte atëherë Nikollaq Papa, një prej vazhduesve të veprës së Barba Illos me fanfarën- Por dola i turpëruar e i fyer nga ajo derë. Më treguan kriteret strikte se kush meritonte të varrosej me fanfarë. Kuptohet, nomenklatura. Dhe shyqyr që shava me vete…

Ndodhi që marshet funebër mbi varrin e Illo Papadhimës nuk u luajtën dot, duke u bërë kjo mungesa më e dhimbshme në funeralin e Maestros.