Personazh 2024: 80 vite mbi një këmbë prej llamarine
Nga Thoma Nika
– Historia e llamarinistit që “prodhoi” vetë protezën perfekte dhe asnjë ditë nuk u trajtua si invalid –
Ai ka lënë prapa të 97-at, tashmë. Por ndjehet ende i fortë. Fqinjët dhe gjithë qyteti ka një jetë të tërë që e njeh dhe e sheh tek ecën duke çaluar paksa. Por të shumtët mendojnë se kushedi çfarë sakatllëku të lindur ka. E vërteta është se shumë pak njerëz e dinë që vetëm njera këmbë e tij është prej mishi dhe tjetra prej llamarine, nga këpuca deri tek rrëza e kofshës.
Historia e Jani Dedes, përpunuesit të mrekullueshëm të llamarinës, në Sarandën e viteve të ushtrimit të zanateve të traditës, është histori e njeriut që jetën e mori siç i erdhi. Edhe kur ndodhi që të gjymtohej nga një predhë bombarduesi më 1943. Edhe kur iu pre deri tek kofsha këmba në sallë të operacionit, nuk e dha veten. Dhe më e rëndësishmja: nuk u zvarrit në jetë, por u ringrit mbi një këmbë -protezë, të “prodhuar” nga vetë ai.
E kështu ka mbi 80 vjet që mbijeton, pasi ishte vetëm 16 vjeç, kur humbi këmbën e djathtë.
Ai tregon se mbaroi vetëm katër klasë të shkollës së fshatit, në Muzinën, që shërbente si porta e vetme hyrëse për në Delvinë e Sarandë. Pas kësaj, nisi të marrë, “me të vjedhur”, zanatin e llamarinistit, që i hyri në qejf. Dhe jo për hobi, siç thuhet sot për pasionet, por për t’i bërë ballë jetës së vështirë, e cila do të vishej edhe nga era e barutit dhe nga krismat e luftës.
Për të siguruar bukën, së bashku me të vëllain, “emigruan” nga Muzina në Durrësin e atyre viteve, ku punonin në zanat, për të mbajtur shtëpinë në Muzinë.
Pushtuesit ia linin vendin njeri-tjetrit. Dhe bombadimet, kujton usta Jani, ishin gati të përnatshme. Një predhë nga avioni gjuajtës, përfundoi në dhomën ku rrinin me qera, në një lagje të Durrësit. Janit i mori këmbën, por edhe më keq e pësoi i vëllai i tij, që aq e pati jetën, se u plagos në ije.
Mbeti i vetëm, pa vëllain, por edhe pa njerën këmbë.
Çfarë të bënte, të dorëzohej?
Se si i dukej vetja, tek i duhej të ecte duke e mbajtur njerën këmbëz të pantallonit të palosur, për shkak të këmbës së humbur. Çfarë të bënte? Të kthehej në Sarandë e të zinte qoshen si invalid, apo t’i dilte ballas fatit që i rezervoi jeta?
– Zgjodha këtë të dytën- kujton ai, sot, kur kanë kaluar mbi 80 vjet nga këto dilema.
Arma e tij më e fortë për t’u bërë “si shokët”, ishte sërish profesioni, zanati i llamarinistit, puna që atij kishte nisur t’i këndonte në duart e florinjta.
U kthye në Sarandë, por jo me dëshpërimin dhe pamundjen për atë që i kish ndodhur. Ia nisi punës si llamarinist, në vitet kur Saranda po bëhej me fabrikën e vet të miellit, ndërtesa e së cilës është edhe sot mbi Plazhin e Ri, fare pranë me portin e trageteve. E tregoi veten si usta të vërtetë atje dhe që nuk meritonte të trajtohej si invalid, ndërkohë që një këmbë druri, në vend të asaj biologjikes së humbur, e bezdiste dhe e shqetësonte, përveç që e bënte të dallonte nga të tjerët.
Kjo ndjesi e shoqëroi edhe kur i thanë “do vesh të vësh dorë edhe në ngritjen e fabrikës së orizit në Vlorë”. Dhe Jani nuk tha “jo, ku më çoni, unë jam njeri sakat, me një këmbë!”. Shkoi dhe tregoi edhe atje se çfarë ishte në gjendje të nxirrte nga duart, ato duar që llamarinën e bënin sikur të ishte plastelinë.
– Tubat me hark i bëja vetëm unë, se gjithë të tjerët punonin llamarinën për tubacionet me kënde- tregon usta Jani.
Duke u rritur profesionalisht, nisi të mendojë edhe për veten, për zëvendësimin e këmbës së tij bezdisëse, me një tjetër. Po, prej llamarine. Nga ajo “lëndë e parë”, me të cilën ai fliste gjithë ditën në repart. Kujton se një miku i tij i kishte thënë një ditë, se njihte dikë që bënte këmbë-protezë në Vlorë.
– Kur shkuam e pamë, thashë se unë mund ta bëj shumë herë më të mirë- sjell ndër mend usta Jani.
Si një konstruktor i mirë, iu vu punës, duke qëndruar edhe jashtë orarit në repart. Ia doli të nxjerrë nga duart këmbën prej llamarine. Por edhe kjo nuk e kënaqte.
E vriste vende-vende dhe zhurmonte tek ecte. “Shpikja” vazhdoi, deri sa, pas disa provash, arriti tek më e mira, tek ajo që ka edhe sot si pjesë të pandashme të trupit të vet.
Nje gjymtyrë, e cila, nën pantallon, jep përshtypjen se është biologjike, me ndonjë problem të vogël te menisku a diku gjetkë. Por, kur e sheh të zbuluar, mbetesh i shtangur se si është e mundur që ky njeri ecën mbi një këmbë llamarine, të bërë vetë (!!!). Më saktë do të ishte të thuhej: mbi një tub llamarine, që është petëzuar poshtë, duke imituar shputën, e cila futet në këpucë e vishet me çorape, njëlloj si këmba e saktë. Pastaj tubi i llamarinës zgjatet lart tek gjuri, i konstruktuar me susta, që të bëjë edhe palosjen, pët t’u ulur, apo bën drejtimin kur ngrihet më këmbë. Gjithçka mbahet “nën kontroll” e bëhet e qëndrueshme, me një fashë tiranti, që qarkon shpatullën e majtë të trupit.
Gjithçka, pa lënë të kuptohet se është një protezë krejt metalike, e cila funksionon në mënyrë perfekte. Pa lënë mangut asgjë prej funksioneve të një këmbe të vërtetë.