Arrestohet Natasha e Sarandës, mësoi nipin të shaj në “Tik-Tok”
Konflikti mes vjehrrës dhe nuses mbi kujdestarinë e djalit të mitur, është rikthyer sërish. Historia në fjalë, mes vjehrrës, Natasha Rombula dhe ish-nuses së djalit të saj, u kthye në një ndër më të komentuarat dhe me vëmendje të lartë nga publiku, për shkak të sensivitetit të çështjes, ku në qendër vendoset kujdestaria mbi djalin e mitur, prindërit e të cilit u divorcuan me bujë dhe akuza të ndërsjellta.
Pas një sage të gjatë seancash gjyqësore a tyre publike, drejtësia vendosi se kujdestaria i takon nënës të djalit të mitur, asokohe vetëm 3 vjeç. Po ashtu, gjykata vendosi që djali duhet të kalojnë të paktën dy herë në muaj fundjavat me të atin. Por qëndrimi me të atin duket se është kthyer sërish në problem social e po ashtu edhe ligjor.
Natasha Rombula është kthyer në një ‘fenomen’ në rrjetin social “TikTok”, në të cilin kalon një pjesë të madhe të kohës duke komunikuar me ndjekësit e asaj përmes opsionin “live”. Komunikime dhe lojëra me të tjerë personazhë të këtij rrjeti social, kanë bërë që Natasha të ndiqet nga mijëra shqiptarë në Shqipëri e kudo. Ish-mësuesja, shfaqet duke kryer apo dhënë dënime të ndryshme në lojërat që bën, të cilat pothuajse në çdo rast konkludojnë në gjuhë krejtësisht denigruese e të papërshtashme, në çdo orë të ditës.
Por pjesë e kësaj sage të vendimeve të Natashës bëhet edhe djali i vogël i dy prindërve të divorcuar, i cili duket se është impaktuar nga sjellja e gjyshes dhe të atit të tij. Këta të fundit kanë e kanë shfaqur atë shpesh herë në këtë rrjet social, dukshëm pa aprovimin e të ëmës.
Së fundmi, një video e bërë virale tregon djalin, tanimë 10-vjeçar, i cili shan me gjuhë krejtësisht të papërshtatshme një person që i komenton gjyshes së tij negativsht, koment ky që lexohet me zë të lartë nga Natasha, e cila kërkon një koment nga nipi i saj i mitur.
Video e bërë virale, gjuha denigruese, shfaqja e të birit me zë e figurë para një audience të “frikshme” siç ështe ajo e “TikTok”, duket se ka shqetësuar të ëmën e tij, e cila i është rikthyer edhe një herë sagave të pambarimta ligjore me ish-vjehrrën. Kjo e fundit jo pak herë e ka përmendur ish-nusen në videot e saj të rishpëndara miliona herë, duke e ofenduar me gjuhë të papërshtatshme dhe ndarë detaje nga jeta personale e saj, të cilën pretendon se e njeh mirë. Nga ana tjetër, nëna e nipit të tij duket se ka zgjedhur të reagojë përmes institucioneve ligjore duke u distancuar nga ekspozimi në rrjete sociale.
Si pasojë, Natasha së bashku me djalin e saj, Armando Kumaraku, janë arrestuar.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas kallëzimit të marrë në muajin dhjetor 2023, nga shtetasja E. A., se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila regjistroi procedimin penal për këtë rast”, kështu njoftojnë institucionet mbi ngjarjen në fjalë.
Ish-nusja e Natashës, ka bërë një kallëzim në policinë e Kuçovës, ku ajo banon, lidhur me videon ku djali i mitur shfaqet duke ofenduar me fjalor denigrues. Pas materialeve të depozituara, të cilat janë edhe lehtësisht të aksesueshme në rrjete sociale, prokuroria ka vendosur të hapë një hetim mbi këtë rast. Në këtë mënyrë rasti mjaft i njohur nuse-vjehrrë duket se do t’i rikthehet seancave gjyqësore, me po të njëjtin pretendim, për t’u arritur më e mira mbi djalin e mitur.