Koçiu: Shërbime cilësore për qytetarët dhe mijëra turistë në Spitalin e Sarandës
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka zhvilluar një vizitë në Spitalin e Sarandës “Petro Nako” ku investimet e qeverisë dhe MSHMS-së në kirurgji, maternitet dhe pediatri kanë mundësuar kushte bashkëkohore për stafin si dhe cilësi shërbimi pranë vendbanimit për qytetarët.
Koçiu theksoi se ky spital u shërben rreth 120 mijë banorëve, por edhe mijëra turistëve të cilët e zgjedhin atë si destinacionin e pushimeve të tyre.
Gjatë bashkëbisedimit me stafin e mjekëve dhe infermierëve, ministrja Koçiu theksoi rëndësinë për rritjen e shërbimeve për qytetarët dhe turistët që qyteti i Sarandës pret dhe përcjell gjatë gjithë vitit.
“Do të kemi rritjen e pagave sërish në 2024 për mjekët e familjes dhe për infermierët që unë besoj se janë gjithashtu edhe një stimul i cili motivon akoma më shumë gjithë shërbimin shëndetësor për të kryer punën më me cilësi dhe më në gatishmëri të njerëzve. Do doja theksoja humanizmin, humanizmin ndaj njerëzve. Shpesh na merr rutina na merr ngarkesa, por nuk duhet të harrojmë që edhe fjala e mirë shëron siç kundër shëron gjithë puna që bën mjeku”, deklaroi ministrja Koçiu.
Ajo vuri në dukje se me intensitet vijon vaksinimi antigrip ku deri më tani në Qendrën Shëndetësore Sarandë janë aplikuar mbi 2200 doza si dhe shtrirja e vaksinimit kundër HPV-së te vajzat e reja.
Ministrja Koçiu deklaroi se në Sarandë vijon puna për rikonstruksionin e Poliklinikës së Specialiteteve, e cila shumë shpejt do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe zonave përreth.
Në Spitalin e Sarandës, shërbimi i Urgjencës kryen rreth 22 mijë konsulta vjetore ndërsa gjatë sezonit të verës numri i konsultave shkon 100-120 në ditë. Ndërsa Shërbimi i Kirurgjisë ka kryer rreth 226 ndërhyrje kirurgjikale gjatë vitit 2023.