Shkatërrimi i grupit të kokainës në Korfuz/ Bandën e drejtonte nga burgu Enivend Aliaj! Para dy vitesh tentoi të vriste…
Një organizatë e trafikut të kokainës në ishullin e Korfuzit është shkatërruar nga policia e Helene, ku të përfshirë ishin mbi 10 shqiptarë.
Anëtarët e kësaj organizate trafikonin lëndë narkotike në sasi të mëdha, kryesisht kokainë dhe kishin ngritur një rrjet të gjerë shpërndarje në ishullin e Korfuzit. Lëndën narkotike e blinin në Athinë, ku përfitimet e organizatës llogariten në qindra mijëra euro në vit.
Bandën e drejtonte nga burgu 39-vjeçari shqiptar, Enivend Aliaj. Ky i fundit rezulton i shpallur në kërkim nga Interpol Tirana për veprën penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
Aliaj në 9 prill 2022, në shëtitoren e Sarandës, ka tentuar të vrasë duke goditur disa herë me thikë shtetasin Dino Majko, aktualisht 31 vjeç, duke e plagosur rëndë.
1 muaj para ngjarjes Aliaj mësohet se i kishte dëmtuar me thikë gomat e makinës Majkos dhe dy ditë pas kësaj kishte kanosur me thikë brenda ambienteve të Spitalit të Sarandës ish-bashkëshorten e tij.
Për këtë ngjarje ndaj Aliajt ka një mase të dytë sigurimi “Arrest ne burg” dhënë nga Gjykata e Apelit Gjirokastër në 5 maj 2022 për veprën penale “dhunë në familje”.
Ndërkohë për rastin e tentativës së vrasjes ndaj Dino Majkos, në Gjykatën e Sarandës po zhvillohet gjykimi ndaj shtetasit Enivled Aliaj.
Ai rezulton i arrestuar edhe më parë në Korfuz në 14 prill 2023, si i kërkuar nga Shqipëria. Ai ndodhet në Korfuz në burg në pritje të ekstradimit, por drejtonte bandën nga burgu.
Edhe vëllai i tij, Donald Aliaj, rezulton me precedent penal në Shqipëri.
Policia thotë se i dha një goditje të fortë trafikut të lëndëve narkotike në ishullin e Korfuzit dhe po punon për gjetjen e bashkëpunëtorëve të organizatës edhe në zona të tjera të vendit.
Në cilësinë e provës materiale U sekuestruan 1.6 kg kokainë e pastër, një armë pistoletë dhe 2 automjete që përdoreshim për trafikun e drogës. Policia thotë se sasia që organizata trafikonte, ishte dhjetëra kg në vit.