Vangjel Tavo në krye të bashkisë së Himarës? Rama: Shpikje e mediave greke, presim vendimin e formës së prerë
Kryeministri Edi Rama mohoi lajmin se i ka propozuar Vangjel Tavos që të marrë drejtimin e Himarës, teksa shtoi se lidhur me çështjen e Fredi Belerit, pret vendimin e formës së prerë.
Duke i konsideruar si shpikje, Rama tha se informacione të tilla nuk kanë dalë as nga zyra e tij, dhe as nga qeveria.
“Në këndvështrimin tim, së pari nuk është një vendim i formës së prerë, duhet të presim të marrë formë të prerë. Nuk mund të marrim ne një vendim të formës së prerë.
Gjërat që kanë qarkulluar për Vangjel Tavon kanë si burim median greke dhe jo median shqiptare. As qeverinë dhe as zyrën time.
Nuk komentoj çfarë më vë mua në gojë apo në kurriz media greke, pa më pyetur edhe mua. Janë histori që unë i kam parë në median shqiptare të marra nga media greke. Është një pyetje për kolegët tuaj grek,” tha ai.