Alush Avduli sipas meje…

Nga Pajtim ÇAUSHI

Dje na iku nga mesi ynë Alushi, shoku, miku, poeti, studiuesi, eseisti e përkthyesi. Këta rreshta në kujtim të tij i radhit me dhimbje e reëspekt për atë njeri të veçantë që jetoi mes nesh, për Alushin që aq shumë i donte të gjithë dhe që aq pak e kuptonin një pjesë…

Një njoftim i dhimbshëm

Bashkë me vitet që kalojnë në rrjedhë të kohës, largohen edhe individët e brezat njerëzorë. Midis tyre edhe të shenjuarit në komunitete fshatrash e qytetesh, krahinash e vendesh si artistë të fjalës së shkruar.
Nga radhët e Shoqatës së Krijuesve Jonianë sot u nda edhe një zë i respektuar, i veçantë dhe i talentuar në fushen e krijimtarise letrare.
Midis nesh nuk do të jetë më fizikisht ALUSH ABDULI, shoku i mirë, prindi i shkëlqyer, njeriu i dashur, poeti origjinal dhe modern i letërsisë shqipe.
Në bisedat e debatet tona nuk do të dëgjohet fjala e tij kurajoze, argumentuese e bashkëkohore. Nuk do të jetë as humori e shakaja e tij e sinqertë e vëllazërore. S’do të jetë as mendimi i tij i pjekur e bashkëkohor.
Megjithatë, nga raftet e bibliotekave do të zbrresin librat e tij të vyer. Ata do të zënë vend mes nesh si të ishte Alushi vet. Do të kemi në duar, në mendje e zemër kujtimin e tij të ndritur të shprehur aq bukur në vëllime poetike, ese, studime kritike e përkthime nga shumë poete të botës.
Natyrisht, do të jesh i pavdekshëm tek ne dhe gjithë lexuesit shqiptarë i dashur Alush, do të na flasësh me zërin tënd të guxumshëm, me fjalën tënde të drejtë e të ngrohtë…
Ngushëllime familjes së tij për këtë humbje e dhimbje të madhe.
Lamtumire vëlla, Poet e Krijues ndryshe!…

Një jetë ndryshe

Përgjatë kohëve nga qyteti e krahina e Konispolit kanë dalë veç të tjerëve të fushave të ndryshme edhe jo pak individë të shenjuar të mendimit e të shkrimit.
Prej të gjithëve sa mund të përmend do të qëndroj pak më gjatë tek shkrimtari i ditëve tona, i talentuari Alush Abvduli. Kjo jo për ta veçuar e vlerësuar ndryshe nga të tjerët, por për të vënë në dukje disa veçanti të jetës personale dhe veprës së tij si krjues. Pra, individin njerëzor dhe individualitetin krijues…
Mendoj që si të vërtetës, ashtu dhe të pavërtetës duhet t’u vemë emrin që kanë pa kthesa…
Nga gjithë sa kanë qënë bashkënxënës me të apo ata që e njohën si nxënës në shkollën e Shalësit e gjimnazin e Konispolit, Alushi ka patur fatin më dramatik që mund të ketë fëmija apo i riu.
Atij lupa e kohës dhe e regjimit “biografia” i mohoi më të domosdoshmen e më njerëzoren për qënien njeri: barazinë me të tjerët…!
E shënova si fat dramatik për vet paradoksin e dukurisë: ishte nxënës elitar në lëndën e letërsisë, i evidentuar që gjatë asaj kohe edhe si autor. Njëheraz, ishte deklamues e recitues i talentuar si dhe krijues poezish e hartimesh të bukur.
E megjithatë, dera e shkollës së lartë iu mbyll duke e lënë jashtë mes llohës së regjimit e ngricës së biografisë.
Kështu, ndërsa shokët e shoqet bashkënxënëse, me harenë e moshës në zemër e valiçen e ëndrrave në dorë, u ngjitën në shkallët e Universitetit, Alushit iu tregua puna në kooperativë bujqësore dhe shërbimi i detyrar ushtarak.
Ashtu si tek personazhet e antikitetit, edhe fati i tij ishte i paracaktuar nga lubia diskriminuese me emrin përçarës luftë e klasave. E megjithatë, ai nuk u rrëzua të zvarritej, por qëndroi drejt në këmbë.

Një diturim ndryshe

Nuk u mërzit as me shkaktarët, as me fatlumët. Qëndroi i heshtur në shoqërinë e fatit të vet dhe u betua se do të studionte gjithë me ngulm kohës për të përvetësuar ato njohuri që të tjerët do t’i merrnin në auditoret e të lartës.
Me vullnet e durim mori dije e kulturë duke lënë pas në radhë shumë nga të tjerët qofshin të njohur apo të panjohur.
Për asnjë ditë nuk iu nda krijimtarisë letrare, veças poezisë.
Unë di të gërmoj tokën për të mbjell vargjet, thoshte me shaka të tjerëve.
Në anën tjetër veten e nxiste për të synonte më të bukurën në poezi.
Dhe ashtu ndodhi. Veças në emigracion ai i pasuroi njohuritë e veta estetike edhe me plot koncepte moderne dhe autorë të huaj që të tjerët as emrin nuk u patën dëgjuar.

Një krijimtari ndryshe

Poezia e tij u rrit, u pasurua, u modernizua. Lirikës së brishtë të viteve si gjimnazist, iu shtuan rudhat e mendimit, fuqitë e përgjithësimit dhe shtresat e thellësisë.
Me kohë krahas poezisë e ndieu veten të plotësuar për të shprehur mendime e vlerësime objektive edhe për veprat që botonin shokët apo autorë të tjerë vendas e të huaj.
Në drejtim të shkrimeve vlerësuese e studimore ai dallohen për mprehtësi vrojtimi, mendimi e vlerësimi.
Alushi është edhe një eseist tejet origjinal. Qëndrimet e tij eseistike shprehin risi gjykimi për fushën që trajtojnë. Mundohet dhe arrin të shkëputet nga skemat tradicionale të eseve latine dhe anglosaksone duke ndihmuar për fytyrëzimin kombëtar të këtij lloj krijimi aq të lakmuar nga disa autorë.
Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe ndihmesën e vyer që ka dhënë dhe jep Alushi në fushën e shqipërimeve nga poetë dhe estetë të vendeve e kohëve të ndryshme. Kështu ndihmon për ta pasuruar bibliotekën kombëtare me vargje të autorëve nga pika të shumta të globit.
Besoj që vetëm për kaq sa përmenda shkurt, mendoj se shkrimtari Alush Avduli zë një vend nderi mes krijuesve të tjerë të vendit tonë. Pra, ja të gjitha këto më bënë ta veçoja e ta trajtoja pak më gjerë e më ndryshe këtë krijues shumëplanësh.

Tiranë, 10 janar 2024