Beteja për Butrintin, UNESCO dërgon një letër…
Në betejën mbi Butrintin, pas dhënies me konçension te Fondi Amerikan për ta menaxhuar Parkun më të rëndësishëm Arkeologjik të Shqipërisë, pretendohet të ketë dalë një fakt i ri kompromentues për qeverinë shqiptare, siç thuhet në një reagim të fundit nga Forumi për Trashëgiminë, në të cilin, zëri më potent për këtë çështjë është ai i ish-drejtorit të Butrintit Auron Tare, në kohën e drejtimit të së cilit, fundi i viteve ’90 dhe gjysma e parë e viteve ‘2000 – ky park nisi të promovohej e fitonte famë në botë, për t’u bërë vitet pasuese një prej atraksioneve kryesore të turizmit shqiptar në jug.
Më saktë, pretendohet se Ministria e Kulturës ka fshehur qëllimisht një raport, për të cilin UNESCO ka dërguar një letër sqaruese.
“Një letër e ardhur nga Drejtori i Pergjithshëm i Qendrës së Pasurisë Botërore të UNESCO-s mbi egzistencën e Dokumentit të Monitorimit të Parkut të Butrintit, ka hedhur një hije të fortë dyshimi mbi rolin e Ministrisë së Kulturës në këtë aferë.
Bëhet fjalë mbi Raportin e Monitorimit që UNESCO- ka kryer në Butrint në tetorin e kaluar dhe faktet e mbledhura janë prezantuar në Këshillin e Pasurive Botërore të UNESCO-s si dhe depozituar prans autoriteteve shqiptare.
Ekzistenca e këtij raporti është mohuar vazhdimisht nga Ministria e Kulturës në seancat e zhvilluara në Gjykatën Kushtetuese ku që prej verës së kaluar po zhvillohet gjykimi mbi vendimin e qeverisë për dhënien me konçesion të Parkut të Butrintit. Ndërkohë, letra e kreut të Pasurive Botërore të UNESCO-s konfirmon që pala shtet jo vetëm ka marrë këtë raport, por ka kërkuar që ky raport të mos botohet në ëebsitin e UNESCO-s dhe të mos bëhet publik.
Forumi i Trashëgimisë Kulturore ngre pyetjet:
Përse Ministria e Kulturës ka mohuar ekzistencën e këtij raporti edhe pasi Gjykata Kushtetuese e ka kërkuar këtë raport zyrtarisht nga ky institucion?
Përse Ministria e Kulturës i ka kërkuar UNESCO-s që të mos bëhet publik ky raport?
A është ky një raport që hedh poshtë të gjithë procedurën e kryer nga Ministria e Kulturës mbi Parkun Kombëtar të Butrintit ku kjo Pasuri Botërore i jepet në administrim një fondi financiar të huaj në kundërshtim me konventën e UNESCO-s?”
– A kundërshton ky raport reduktimin e zonës së Mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit për t’i hapur rrugë ndërtimit në Gjirin e Armurës në Kanalin e Vivarit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, një investimi strategjik me porosi të një prej oligarkëve më të mëdhej të vendit, i cili ka porositur edhe amendimin e Ligjit të Zonave të Mbrojtura?
– A ka pasur një marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan (AADF) për të marrë pjesën e zonës arkeologjike të njohur si A3 dhe reduktimit të zonës së Mbrojtur të Butrintit me qëllim hapjen e rrugës për ndërtime nga oligarkët pranë qeverisë?”, thuhet në reagimin e Forumit të Trashëgimisë.