Konispol, Investime në sistemin e ujitjes, infrastrukturës dhe energjisë
Përmirësimi i infrastrukturës së ujitjes dhe të energjisë elektrike në zonën e Konispolit, do të kontribuojë në rritjen, cilësinë dhe prodhimin e produkteve bujqësore, agrumeve dhe të mirëqenies në këtë zonë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj gjatë një takimi me fermerët e kësaj zone tha se ndërtimi i sistemit të ujitjes dhe përmirësimi i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike ishin një premtim i dhënë dhe se tashmë ky premtim po bëhet realitet.
“Po investohet për ndërtimin e një sistemi ujitjeje të kompletuar nën presion, që siguron ujitjen e tokave bujqësore dhe që nuk shpenzohet energji”, tha ministrja.
Përveç sistemit të ujitjes, një lajm i mirë për zonën është zgjidhja përfundimisht e një problem të mbartur tashmë prej vitesh, që është energjia elektrike.
“Po ndërtohet edhe nënstacioni i energjisë elektrike në Konispol, si dhe do të investohet në rrjetin e brendshëm të shpërndarjes së energjisë në disa fshatra”, tha Denaj.
Para se të bëhej ky sistem vaditjeje, shprehet një ndër fermerët, shpenzoja 9 milionë lekë energji në sezon për ujitje.