U arrestua për “shpërdorim detyre”, drejtori i IMT në Sarandë përfundon në spital
Drejtori i IMT në Bashkinë Sarandës, Nasip Hoxha ka rënë në pranga mbrëmjen e djeshme (22 nëntor).
Burime bëjnë me dije se Hoxha akuzohet për shpërdorim detyre.
Arrestimi i tij është kryer mbrëmjen e djeshme, ndërsa më pas ai është transferuar për në spital, pasi nuk është ndjerë mirë.
Hoxha është ndaluar me urdhër të prokurores Besjana Sadikaj, dyshohet për “shpërdorim detyre”. Hoxha ishte në detyrë prej rreth 5 muajsh.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, bashkia Sarandë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të operacionit policor të koduar “Mjegulla”, në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Sarandës për shtetasin:
N. H., 57 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, bashkia Sarandë.
Ky shtetas akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm, për të kryer ndërtime pa leje, në territorin e bashkisë Sarandë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.