Fredi Beleri bën përpjekjen e radhës për lirim nga qelia
Alfred Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, por i paemëruar, bën përpjekjen e radhës për lirim nga qelia.
Teksa rri në paraburgim prej 12 majit, Beleri ka shkuar për të tretën herë në Gjykatën e Lartë, ku kërkon heqjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Kjo masë sigurie, si edhe rrëzimi i deritanishëm i kërkesave të tij për leje të veçantë, nuk i kanë krijuar mundësi Alfred Belerit të betohet para Këshillit Bashkiak dhe të marrë detyrën e kryebashkiakut. Më herët, Gjykata e Lartë ka refuzuar dy kërkesa të Belerit për ndryshim të masës së sigurisë.
Aktualisht, Beleri po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje” dhe procesi ndodhet në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të prokurorisë. Sipas SPAK, ai ka premtuar shuma parash në këmbim të votave të sigurta në procesin zgjedhor të 14 majit.