Veliera me tre turistë turq pësoi defekt, shpëtohen nga Policia Kufitare e Sarandës
Tre turistë nga Turqia, të cilët mbetën të bllokuar në mes të detit, pasi veliera me të cilën po udhëtonin nga Durrësi, pësoi defekt, janë shpëtuar nga Policia Kufitare e Sarandës.
Uniformat blu bëjnë të ditur se turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Mbetën në det, pasi veliera me të cilën po vinin nga Durrësi, pësoi defekt, shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës iu shkojnë në ndihmë 3 shtetasve nga Turqia.
Gjatë patrullimeve në të gjithë hapësirën detare, shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës kanë konstatuar në afërsi të gjirit të Sarandës, 3 shtetas turq që kërkonin ndihmë, pasi kishin mbetur në det, për shkak se mjeti i tyre lundrues velierë kishte pësuar defekt.
Menjëherë, shërbimet e Policisë iu kanë ofruar ndihmë 3 turistëve që po lundronin nga Durrësi, drejt Sarandës, dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjithashtu, është tërhequr në vendin e ankorimit, mjeti lundrues velierë që kishte pësuar defekt.
3 turistët kanë falënderuar punonjësit e Policisë për gatishmërinë e treguar dhe për ndihmën e ofruar”, njofton policia.