Syri i Kaltër “vjedh” zemrat e të huajve, monumenti natyror merr vlerësime të larta
Është e vështirë të gjesh dakordësi të përgjithshme të turistëve për një destinacion apo eksperiencë.
Do të ketë gjithmonë nga ata që eksperiencën e vlerësojnë si të mirë apo të keqe. Por një nga vendet e shpallura edhe si monument natyror duket se i bashkon përgjithësisht në një mendim të gjithë ata që e kanë vizituar dhe bëhet fjalë për “Syrin e Kaltër”.
Është ndoshta një ndër vendet me numrin më të lartë të vlerësimeve në platformat e turistëve të cilët e cilësojnë si të mjaftueshme vizitën në Shqipëri qoftë vetëm për të parë këtë mrekulli të natyrës. Janë rreth 1900 vlerësime në paltforma për këtë vend ku shumica nënvizojnë natyrën e paprekur, fenomenin e çuditshëm të ujit dhe ngjyrës jashtëzakonisht të bukur të tij.
“Një mrekulli. Një nga vendet më të bukura në Shqipëri. Është në një rezervat natyror nën UNESCO” shprehet një turist që e ka vizituar së fundmi. Një tjetër nënvizon se kjo është ndoshta forma më origjinale e ruajtjes së natyrës në vendin tonë por që edhe këtu njerëzit tregojnë papërgjegjshmëri duke notuar dhe abuzuar me mjedisin teksa shenjat e vendosura tregojnë qartë që nuk mund të bësh këto veprime.
“Duhet të vizitohet patjetër. Është kënaqësi për syrin me ngjyrat që ka. Ky është një opinion personal i imi por mund të jetë një nga tre vendet e preferuara në toplistën time në tokë.
Sigurisht edhe këtu nuk mungojnë ata që janë të rezervuar mbi këtë destinacion por shumica kanë ankesa për numrin e lartë të vizitorëve në pikun e sezonit duke e cilësuar këtë pikë sit ë mbipopulluar.
Të tjerë nënvizojnë se nuk ke shumë se çfarë të bësh përveçse të pish një kafe por sigurisht edhe në këtë rast bien dakord në panorama që ofron Syri i Kaltër është e jashtëzakonshme.
Monument Natyre, Syri i Kaltër
Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës në faqen e saj jep detaje të plota mbi monumentin natyror të Syrit të Kaltër.
“E ka marrë këtë emër sepse forma e tij është ovale e ngjashme me formën e një syri, uji shpërthen nga toka i errët në mes dhe i kaltër anash. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 m thellësi. Ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 m nën nivelin e luginës së Drinos dhe është shkarkim kryesor i malit të gjerë. Është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.
I shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra.
Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltër e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët. Gjithë uji i ëmbël i burimit rrethohet nga një bimësi e shumëllojshme.
Këtu vizitorët e huaj ndalen, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet në dy lokalet turistike.
Për Syrin e Kaltër, një nga 18 burimet karstike të Malit të Gjerë, ka në rrjedhën e kohës shumë legjenda e rrëfime për një dragua dhe vashat e bukura të zonës përreth.
Sipas legjendës në ato zona sundonte një dragua që rrëmbente vajzat, ndalte ujin dhe ua kishte bërë tejet të vështirë jetën banorëve.
Derisa më në fund e vranë dhe, kur e vranë, nga syri i dragoit buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë teposhtë në formën e lumit të Bistricës duke ushqyer atypari një bimësi të rrallë për nga dendësia e forca dhe duke dhënë më tej dritën që ndriçon qytetet dhe fshatrat e Jugut”./Monitor