“Shqipëria është absolutisht një destinacion për t’u rekomanduar”, gazetarët gjermanë vendosin të pushojnë në Sarande
Ndjesinë e pushimeve në Karaibe me çmime shumë të volitshme ta jep vetëm Shqipëria. Këtë këshillë u jep gjermanëve, cikli më popullor i reportazheve në Gjermani “Abentojr Leben” ku reporterët Natali dhe Kristian vendosën të provojnë nëse janë të vërteta ato që thuhen në mediat ndërkombëtare se në Shqipëri, pushimet kalohen me çmime të lira në plazhe të mrekullueshme dhe me cilësi të lartë shërbimi.
Prenotuan me 500 Euro për një javë një dhomë në një hotel me plazh dhe pishinë në Sarandë, por kur mbërritën, panë se pishina dhe plazhi ishte në ndërtim.
Megjithatë, pranojnë vetë se gjithçka gjatë udhëtimit u shkoi më së miri. Plazhet si ato të Ksamilit, apo Syri i Kaltër ishin diçka e mahnitshme për ta.
Një gotë xhin 5 Euro në një diskotekë konsiderohet prej tyre një çmim shumë i lirë. Me këtë shumë, ata thonë se as ujë nuk merr dot në diskotekat e vendeve me turizëm të zhvilluar.
Një prej destinacioneve të pushimit të tyre 1 javor ishte edhe Gjirokastra, ku në fokus ishte turizmi kulturor dhe historik, në një qytet që daton nga periudha osmane e ku gjenden edhe shumë gjurmë të komunizmit, veçanërisht bunkerët e asaj periudhe.
Çmimet e ushqimit, duke nisur nga fast-foodet gati 2 Euro për person, dreka me ushqime tradicionale që arriti në 22 Euro për 3 persona përfshirë edhe taksistin, e më pas edhe darka me produkte deti për 70 Euro për 2 persona, të gjitha këto i kënaqën pa masë reporterët gjermanë që kishin marrë rolin e turistit.
Dhe në fund, thonë se Shqipëria është absolutisht një destinacion për t’u rekomanduar.