Ujësjellësi i Butrintit, një dhuratë perandorake dhe monument shumë i rëndësishëm për qytetin antik
Parku Kombëtar i Butrintit është nga sitet më të vizituara prej turistëve. Një prej objekteve antike me të cilët përballen vizitorët në këtë park, është edhe ujësjellësi.
“Ujësjellësi ishte padyshim një monument shumë i rëndësishëm për Butrintin dhe shuma e madhe që u nevojit për ndërtimin e tij na bën të mendojmë se ishte një dhuratë perandorake”, thuhet në një postim online të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Ujësjellësi u ndërtua në kohën e Augustit, ndoshta në të njëjtën kohë me ndërtimin e një ure mbi kanalin e Vivarit. Kjo urë ishte pjesë e rrugës së luginës së Pavllës që lidhte Butrintin me rrugën kryesore Aulon – Nikopol. Të dyja ishin arritje inxhinjerike të rëndësishme me një domethënie pamore dhe simbolike të madhe: ura kishte rreth 37 kembe dhe kapërcente një distancë uji të gjatë rreth 430 m, ndërsa ujësjellësi ishte i gjatë 4 km, nga burimet në Xarrë deri në Butrint. Këto dy vepra lidhnin Butrintin me botën romake dhe i lejonin qytetit të merrte pjesë në një stil të ri jetese që kishte nevojë për sasi të mëdha uji në banjat, në hatërvanët e në çesmat publike.