Gazeta e madhe italiane tregon anën tjetër të Ksamilit: Mashtruesa! Gazebo 200 euro, kafe 4,5 €. Nuk kthehemi më!
Gazeta e madhe italiane Il Messaggero i ka kushtuar një artikull asaj që e quan “ana tjetër” e Shqipërisë turistike, përveç asaj “loë cost”.
Gazeta rrëfen dëshmitë e turistëve italianë, që sipas artikullit janë të shumtë dhe kanë mbetur të zhgënjyer nga Shqipëria, veçanërisht ajo që e quajnë si “Maldivet e Europës”, Ksamili.
Sipas tyre, në zonat bregdetare të Shqipërisë ka “zero parking, shezlonget janë ngjitur e ngjitur, çmimet janë të larta, dhe paguhet ekskluzivisht në Lek”.
Një tjetër turist italian thotë se në plazhin “Pulëbardha” i kishin kërkuar 25 euro për shezlong, nëse konsumon drekën te restoranti që ndodhet aty, nëse jo, duhet të paguajë 30 euro.
“Çmimet e restoranteve janë përgjithësisht më të lira se në Itali, por në Ksamil një kafe kushton 4.50 euro, një gazebo për tre persona 50 euro dhe mund të shkojë deri në 200 euro”, shkruan gazeta italiane.
“E sponsorizuar gjithandej në TikTok si të ishte Majemi. Por realiteti është tmerr, rrugë të pista, të pandërtuara, një kaos”, thotë një tjetër turist italian.
Shkrimi mbyllet me komentin e disa turistëve italianë që thonë “nuk kthehemi më këtu”.