Nga mungesa e parkimit te çmimet dhe plazhi publik, disa shënime të pakërkuara për Sarandën

Nga Ermal Telha

Saranda për ne është destinacion i përvitshëm veror, ndaj kam mundësinë edhe të dalloj/shpreh gjykime mbi transformimin. Siç ka thënë Teto Ollga, po ja numëroj tëk e tëk e tëk:

Plazhi publik.

Për shkak të afërsisë me vendqendrimin, pothuajse çdo ditë plazhin e kemi bërë tek plazhi publik i centralit. Këtë vit, më i organizuar, madje me çadra dhe ulëse pa pagesë të ofruara nga një kompani private (gjë shumë e mirë meqë ra fjala edhe për marketingun e saj, edhe për pushuesit ). Në fund të çdo dite, persona të ndërrmarjeve publike të bashkisë, bënin mbledhjen dhe sistemimin e çadrave dhe ulëseve.

Siguria.

Në pikën e vrojtimit, këtë vit e kam parë më shpesh personelin në dispozicion të të papriturave (vjet e shihja më rrallë).

Pastërtia.

Në disa prej ditëve, gjatë zgjimit të hershëm për ecjen e mëngjesit, dominojnë zonjat e pastrimit dhe mirëmbajtjes të cilat pa përtesë e bëjnë xixë vendin ku shpesh qjeflinjtë e natës e trajtojnë pa kujdes, duke lënë shishet e ambalazhet e ushqimeve kudo. S’kanë faj, mosha dhe alkooli i justifikojnë . Kudo kështu i kam parë nëpër botë.

Çmimet.

Për të gjithë! Sipas vendit edhe kuvendi. Në Sarandë mund ta kalosh darkën me 500 lekë në fastfood, por mund të mos të të mjaftojnë edhe 100-fishi. Publikimi i faturave është shëmtia më e madhe në rrjet dhe shërbimi më i keq që i bëjmë vetes dhe vendit.

Kujdesi shëndetësor.

Saranda është qytet, ka spital. Vitin e kaluar patëm problem shëndetësor me njërin prej fëmijëve dhe infrastruktura spitalore ishte për bukuri. Druaj se në pikat turistike të fshatrave të promovuar masivisht, do kishim pasur probleme serioze.

Ndotja akustike.

Pas orës 11:30 gjatë javës dhe pas 12:00 në fundjavë asnjë zhurmë. Asnjë përjashtim nuk dallova dhe për këtë i takon një BRAVO atyre që e kanë vënë nën kontroll. Edhe ai clubi i famshëm që bëhet shpesh lajm, kishte investuar seriozisht në izolimin akustik dhe nuk dëgjohet asnjë zhurmë pasi largohesh 20-30 metra prej tij. Gjë shumë e mirë, edhe për qejflinjtë e natës, edhe për pushuesit që duan të flenë.

Infrastruktura.

Ngarkesa gjithnjë e në rritje e Sarandës, kërkon urgjentisht marrjen e masave për sistemimin e trafikut dhe kryesisht parkimeve. Unë e kam përdorur makinën thuajse aspak, por problemi është i dukshëm dhe “bërtet” me zë të lartë.

Standardi i ndërtimit.

Saranda është zhvilluar keq pas 90-s, shumë keq madje. Megjithatë, strukturat e reja rezidenciale dhe turistike janë të një standardi të lartë e gjithnjë në rritje. Këtë e kam të vërtetuar në vetë të parë pasi kompania jonë është në negociata bashkëpunimi me disa projekte në zhillim në Sarandë. Sistemet që po aplikohen janë të teknologjive të fundit. Standardet e mira = turizëm cilësor.

Shërbimi.

Vërej përpjekje serioze dhe i inkurajoj të gjithë operatorët të investojnë në drejtim të burimeve njerëzore të kualifikuara. Ka ende shumë vend për përmirësim. Forca!

Diversiteti.

Në shëtitore këtë vit dominon gjuha angleze dhe italiane. Shenjë shumë e mirë kjo për diversifikimin turistik.

Gjithashtu, më bëhet qejfi që në krye të bashkisë ka ardhur një sipërmarrës, Olti, të cilin nuk e njoh personalisht por jam dëshmitar (si klient) i identitetit që i ka dhënë Golemit me sipërmarrjet e tij. Është herët për ta gjykuar ose dhënë merita (vitet në vijim gjykimet për të), por jam i bindur që një sipërmarrës që arrin t’ja dalë në sektorin privat në Shqipëri, ja del të krijojë/zhvillojë frymën e duhur në administrim publik.