Rama: Fluturimi i parë në Aeroportin e Vlorës, në verën e vitit 2025
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shtyrë me disa muaj parashikimin e fluturimit përurues në Aeroportin e Vlorës.
Në nëntor të vitit të kaluar, numri një i Qeverisë deklaroi se fluturimi i parë në Aeroportin e Vlorës pritej të bëhej në fund të vitit 2024, por tanimë synohet sezoni veror i vitit 2025.
Lajmi u bë i ditur nga kreu i Qeverisë, duke cituar statusin e tij në median sociale “Facebook”.
“Në Aeroportin e Ri Ndërkombëtar të Vlorës ka marrë formë e gjithë gjurma e pistës, e ku punohet me ritëm të lartë me synimin për të ulur avionin e parë në verën e vitit 2025, kur Shqipëria Turistike do të hyjë në fazën tjetër drejt marrjes së vendit kampion në Ballkan për turizmin brenda kësaj dekade”, shkruan Rama.
Aeroporti i Vlorës do të jetë aeroporti më i madh në Ballkan, duke qenë kështu një ndër investimet më të rëndësishme për ekonominë e vendit.
Kështu deklaronte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, teksa inspektonte rrugën, e cila do të lidhë aeroportin ndërkombëtar të Vlorës me autostradën Fier-Vlorë.
“Aeroporti do jetë më i madhi në Ballkan, i kategorisë 4E dhe i jep gjithë rajonit një mundësi të re për të akesuar pa përdorur hub-et. Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, sigurisht Shqipëria dhe Kosova nuk kanë më nevojë për hub-e të fluturojnë në kontinente të tjera dhe këtë do e ofrojë Vlora”.
Për të, aeroporti jo vetëm që do ndikojë ekonominë shqiptare dhe turizmin, por do ndikojë edhe atë rajonal.
Sipërmarrësi shqiptar Behgjet Pacolli do të pohonte në prill të vitit 2022 se “Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës” do të krahasohet me aeroportet më të mëdhenj në botë.
Madje, Pacolli garantoi se i njëjti standard për ndërtimin e tij po aplikohet në aeroportin e New York-ut.