Sarandë – Josif Papagjoni shpalos vetëveten në shëtitore

Një treçerek ore gjithsesi e pamjaftueshme iu kushtua krijimtarisë së gjerë prozaike të krijuesit e kritikut Josif Papagjoni, një prej sarandiotëve të njohur të artit shqiptar, të letrave dhe skenës.

Ishte Drejtoria e Librit në Ministrinë e Kulturës që organizoi në shëtitore një prezantim modest të Papagjonit, ku vetë drejtoresha e librit Alda Bardhyli pati një bisedë të këndshme me të, ndërsa nga aktori i njohur Vangjel Agora dhe gazetari Ermir Hoxha, përzgjodhën për lexim-intepretim disa pjesë nga librat e tij.

 

Rrethuar nga portretet bardh e zi të kolosëve të letërsisë shqipe, realizime fotografike të Roland Tashos, Jofis Papagjoni shpalosi paksa vetëveten para një publiku që dëgjoi me interes rrëfimin e tij për raportin me artin që në vogëli, ushqyer e kultivuar në Sarandën e tij simbiotike – raporti tejet i ngushtë që ai ka me qytetin – ku ndërsa i gjakonte letërsia devijoi në dramaturgji. Gjithsesi, i shijoi dhe u realizua në të dyja. Sepse të tillë e quajti dhe krijimtarinë në vite: realizim të vetëvetes!