Saranda e thjeshtësisë fiton ndaj asaj të luksit edhe këtë verë
Nga Alba Malltezi
Pushimet në Sarandë janë përvit një festë. Qyteti nuk zhgënjen asnjëherë me mikpritjen e zemergjerësinë edhe në momente e situata nga më të vështirat. Edhe me rrugët që sa vijnë e ngushtohen, hotizontin që sa vjen e dendësohet nga ndërtimet që vazhdojnë të mbijnë para e para, e gjithnjë e më përpara cilitdo ndërtim që është bërë më parë.
Nuk e di si do të jetë gushti në Sarandë, pas një korriku shumëkombësish, shumëracash të patakuara asnjëherë si më parë, por duket se njerëzit e saj të thjeshtë dinë të japin më të mirën. Nuk e di si ja bëjnë, nuk e di ku e gjejnë forcën dhe dëshirën, por ata japin gjithçka, për këdo dhe sado të vogël ta ketë buxhetin e pushimeve.
Si kudo në Shqipëri, po duken dhe në bregun mes Sarandës dhe ekstremit jugor, Pema e thatë, të parët resorte luksi. Dëshira e mirë për të sjellë të bukurën, për fat të keq ka ngecur pikërisht aty ku pritet më shumë: Te shërbimi, mirësjellja, cilësia. Plazhe me “rërë” si kantier ndërtimi nuk kanë asgjë të përbashkët me luksin pasi zbulohet në realitet fotoshopi i prezantuar në Instagram. Duke i mirëkuptuar dhe duke shpresuar se mjafton të pyesin se si e bëjnë ata te Tre Ishujt, mund të përmirësohen në gusht ose vitin që vjen. Gjithashtu edhe për cilësinë e ushqimit dhe të shërbimit kanë shumë për të mësuar: që nga ata që servirin sufllaqenë shëtitore, byrekë e deri tek mjeshtërit e peshkut e të mishit në këtë qytet.
Duke lënë që të zhvillohen e përmirësohen ato që po lindin si vende luksi, duke shpresuar që ta kuptojnë se madhështia vjen prej thjeshtësisë, surpriza e kësaj vere ishte Saranda autentike. Ajo e restoranteve jo në linjën e parë të detit, por Saranda e lagjeve të thjeshta, e brendësive. “Filipi” ka qenë përherë aty, me supën e tij të peshkut të jashtëzakonshme dhe prodhimet e gatuara me atë që kuzhinierët modernë e kanë quajtuar si shijen e gjashtë: Umami i paparë. Para blogerëve, influencerave e gazetarëve e kanë zbuluar turistë e qytetarë, pushues e udhëtarë me “passaparola”. Radha për të ngrënë peshk mirë dhe lirë te Filipi është vërtetë e gjatë.
Në të njëjtën zonë, në krahun e portit dhe po mes lagjeve autentike sarandiote ndodhet dhe “Oxhaku”, një hotel restorant i thjeshtë ku në një holl të gjerë e të zbukuruar me vazo borziloku, mishi i kecit, qingjit apo gicit “shkrihet” në hell. Për të apasionuarit e mishit (dhe shqiptarët duket se mbajnë rekord konsumimi në Europë), “Oxhaku” është një himn i shijes dhe i përkujdesit të përgatitjes bashkë me pjatat tradicionale.
Italianët e “Mattarello”. Stella dhe Marco, për fat të mirë janë akoma aty. Me gjithë vështirësitë e gjetjes së personelit vendas, (nuk e di si ia kanë bërë), edhe këtë verë kishin në shërbim djem dhe vajza të buzëqeshur e të gatshëm për të bërë më të mirën. Pas shijimit të poezive të Timo Fllokos në Butrint, nuk përtuan të rihapnin kuzhinën e të ofronin me zemërgjerësi çfarë kishin për një tavolinë “të uritur” jo me pak vetë edhe pas mesnate. Nga mëngjesi në mbrëmje vonë, shijet italiane dhe produktet që sjellin direkt nga Pulja përballë, e bëjnë Mattarello-n një kënd të ngrohtë e të shijshëm italo-shqiptar.
Te “Pulëbardha” përtej Kepit të Merlit punojnë të gjithë, të vegjël e të mëdhenj. Një vogëlush afër 10 vjeç, i ardhur për pushime nga Stokholmi, ndihmon kushërinjtë më të rritur për të sjellë pjatat e përgatitura. Një student i menaxhim-biznesit nga Tirana, kamarier edhe ai, mund të jetë edhe një kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë 2030. Serioziteti, mirësjellja, profesionalizmi në këtë punë të thjeshtë, e bën atë një të ri karizmatik dhe të besueshëm mes tavolinave të plazhit nën çatitë prej kashte, aromë deti dhe natyrë shqiptare të jashtëzakonshme. Pastërtia dhe përkujdesja familjes dibrane që e menaxhon Pulëbardhën prej vitesh është e jashtëzakonshme. A nuk janë gjërat e thjeshta dhe njerëzit punëtorë, indet e forta të një shoqërie? Për fat, kudo në Sarandë i takon dhe me ta flet.
Në këtë blog, si përherë, sjell vetëm perceptime personale dhe, me siguri, secili ka vendet dhe shijet e veta të panumërta në këtë qytet, por një gjë duket se e konfirmon pasionin tonë për Sarandën: Pavarësisht rrugëve që sa vijnë e ngushtohen nga ndërtimet, fijeve të linjave optike apo telefonike që lidhin pallatet si merimanga gjigande, mungesa e parkimeve, problemet me riparimet e ashensorëve, pastrimi siç duhet i shëtitores së re e gjigande, askush nuk e braktis dot nëse e ka vizituar njëherë. Pushuesit kthehen e rikthehen, pasi ja kanë provuar mikpritjen, thjeshtësinë dhe zemrën e madhe.
P.s. Shkrimi nuk ka qëllim reklame, por thjeshtë raportim gazetaresk pas një përvoje turistike