Ngërçi juridik në Bashkinë e Himarës, si duhet shmangur ky vakum ligjor?
Nga Esmeralda Metko
Ngjarja e ndodhur së fundi në bashkinë e Himarës përbën një interes për tu trajtuar jo vetëm në aspektin politik, por edhe në aspektin juridik. Kjo, për faktin se nuk ka një kuadër ligjor të plotë, i cili do të rregullonte këtë situatë, pra jemi përpara një “heshtje ligjore”.
Fredi Beleri kandidoi në këto zgjedhje lokale të 14 majit si kandidat i koalicionit Bashkë-Fitojmë. Vetëm 2 ditë para zgjedhjeve, Policia e Shtetit njofton arrestimin e kandidatit nën akuzën e korrupsionit aktiv zgjedhor. Ndaj personit në fjalë u mor masa e sigurisë arrest me burg. Megjithatë, Fredi Beleri u votëbesua nga qytetarët himarjotë dhe ne bazë të numrit të votave ka fituar zgjedhjet për të qënë kryetar bashkie.
Po ashtu, ne ditën e konstituimit te këshillit bashkiak drejton një kërkesë nw SPAK për të kërkuar leje të posaçme me qëllim që të kryente betimin si gjithw antarët e Këshillit Bashkiak. Por kërkesa për këtë leje u refuzua nga organi i Prokurorisë së Posaçme me arsyteimin se leje të tilla jepen për arsye të tjera të veçanta.
Reagimet kanë qënë dhe janë të shumta si nga politikanët, ashtu edhe nga specialistë dhe ekspetë të fushës, të cilët mbajnë qëndrimet e tyre lidhur me faktin a është i drejtë arrestimi i z. Fredi Belerit.
Megjithatë në gjithë këtë çështje është me rëndësi të ngrejmë disa pyetje për të parë sesi rregullohet juridikisht çështja e kryetarit të Bashkisë së Himarës të sapozgjedhurin nga zgjedhjet e 14 majit, i cili nuk arriti dot të betohej në mbledhjen konstituese të Këshillit Bashkiak.
Faktikisht në lidhje me këtë situatë nuk ka një rregullim ligjor të posacëm që të shprehet lidhur me këtë rast. Duke qënë se kemi të bëjmë me një vakum ligjor, është në interes për të parë sesi do të shprehet gjykata lidhur me zgjidhjen e këtij ngërci juridik
Çfarë ndodh pas votimit të kandidatëve nga ana e qytetarëve? Pra cila është ajo procedurë që ndiqet që një kryetar bashkie të vijë në detyrë zyrtarisht? Cila është rruga që ndiqet për verifikimin e mandateve? A ka ndikim mosbetimi i kryetarit të Bashkisë në ecurinë e punës së Këshillit Bashkiak? Këto dhe pyetje të tjera rrjedhin natyrshëm dhe sigurisht na vijnë në ndihme për të kuptuar cfarë ndodh me pozicionin e kryetarit të bashkisë në qoftë se z. Fredi Beleri merr një dënim penal nga ana e gyjkatës? A zhvillohen zgjedhje të reja apo jo?
Pas shpalljes së rezultetit të zgjedhjeve nga KQZ bëhet konstituimi i këshillave bashkiakë në çdo bashki përkatëse. Këshilli Bashkiak zhvillon mbledhjen e tij të parë jo më vonë se 20 ditë nga data e shpalljes së rezultatit. Mbledhja e parë e Këshillit, deri në zgjedhjen e kryetarit të tij, drejtohet nga këshilltari më i vjetër në moshë. Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak: zgjidhet komisioni i mandateve; miratohen mandatet e anëtarëve të këshillit; këshilltarët bëjnë betimin.
Deri në këtë pikë kemi një element të rëndësishëm për të nënvizuar, verifikimi i mandateve të këshillatrëve bashkiakë të zgjedhur bëhet nga Këshilli Bashkiak, pra mandati i jepet këshilltarit me vendim të këshillit bashkiak. Pas verifikimit të mandateve nga komisioni përkatës, këshilltarët bëjnë këtë betim para këshillit dhe këshilltari që nuk pranon të bëjë dhe të nënshkruajë betimin, konsiderohet se jep dorëheqjen dhe atij nuk i jepet mandati.
Betimi ka një rëndësi themelore sepse përmes këtij veprimi këshilltarët pozicionohen zyrtarisht si përfaqësues të qytetetarëve.
Ndërkohë që mandati i kryetarit të Bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij. Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të Bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin dhe e nënshkruan atë.
Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës. Në rastet kur kryetari i bashkisë nuk pranon të bëjë betimin quhet se ka hequr dorë nga pozicioni e në rastet kur dënohen me vendim të formës së prerë nga gjykata për kryerjen e një vepre penale, ai shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në rastin konkret nuk kemi të bëjme as me faktin që kryetari i bashkisë nuk ka pranuar të bëjë betimin, por jemi në rastin kur kryetarit i është dhënë një masë sigurie arrest me burg dhe pavarësisht kësaj, ai është interesuar për të qënë pjese e mbledhjes konstituese, për të kryer betimin, pavarësisht se kjo kërkesë është refuzuar.
Nga ana tjetër edhe nëse për z. Beleri do të jepet një vendim i formës së prerë nga gjykata me një dënim penal, përsëri nuk mund të flasim për shkarkim të kryetarit me vendim të Këshillit të Ministrave sepse nuk është bërë betimi dhe praktikisht nuk kemi një kryetar bashkie zyratarisht. Po për zgjedhje të reja a mund të flasim?
Në këtë rast duhet të mbajmë në konsideratë faktin që mandati i këshilltarëve bashkiakë nuk ka varësi ndaj mandatit të kryetarit të bashkisë, pasi si KB, si kryetari i bashkisë përfaqësojnë 2 organe të ndryshme si nga pikëpamja funksionale, ashtu edhe nga natyra e tyre. Pra, fakti që kryetari i bashkisë nuk ka bërë betimin nuk ndikon në ecurinë e punës së Këshillit Bashkiak.
Mundësia për të zhvilluar zgjedhje të reja për krytetar bashkie mendoj se ka vënd dhe mund të flasim edhe në këtë rast. Mendoj se në rastin se z. Beleri do të marrë një dënim penal nga gjykata atëherë edhe në kuadër të integritetit të personave të zgjedhur ashtu edhe në kuadër të faktit se ky person i votëbesuar nga qytetarët nuk mundet dot të ushtrojë funksionet e tij, dhe aq më tepër që nuk ka kryer as betimin, kjo situatë do të barazohej për nga pasojat me rastin kur kryetari nuk pranon të bëjë betimin, ose rastin e shkakrimit të tij nga ana e Këshillit të Ministrave për shkak të shkeljeve të rënda të Kushtetutës dhe Ligjeve.
Pra, pavërsisht se nuk kemi një parashikim ligjor mendoj se shenja e barazimit në këtë rast është e vlefshme. Kështu në këtë rast brenda afateve ligjore Presidenti i Republikës duhet të nxjerrë dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie.
Ndërkaq nëse ndalemi në një parashikim që ka bërë ligjvënësi në ligjin për vetqeverisjen vendore ku parashikohet se: “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës” mund të konkludojmë faktin se mandati i kryetarit të bashkisë përfundon kur kryen betimin kryetari pasardhës, kështu natyrshëm kjo është një dispozitë e aplikueshme dhe në rastin konkret.
Duke qënë se kryetari i ri nuk ka kryer betimin atëhere në pozicionin e kryetarit të bashkisë do vazhdojë të mbetet kryetari i mëparshmëm deri në zgjedhjen e një kryetari të ri.
E pavarësisht se këndvështrimet per rastin në fjalë janë të shumta duhet të mos harrojmë se ky është një rast sui generis, pasi përderisa vetë ligji nuk ka parashikuar rregullimin e tij specific, interpretimi i gjykatës do të kishte një vlerë të madhe në krijimin e një praktike jurisprundencale në drejtim të zgjidhjes së situatave të tilla edhe për të ardhmen në rast se zgjidhjet e këtyre rasteve do të jenë në vakum ligjor.