Pak fjalë për të madhin Thoma Gjoni
Nga Shpresa Dine
Thomai ka qënë dhe mbetet një nga ikonat e Estradës Profesioniste të Sarandës,(Fituese e çmimit “Naim Frashëri” i Klasi të II-të) pasi për 20 vite( 1968 – 1988) ai drejtoi orkestrën në rolin e dirigjentit të saj, dhe jo vetëm.
Ai krijoi dhe mjaft këngë të bukura që u kënduan jo vetëm në estradë, por edhe në skenat kombëtare, siç ishin festivalet kombëtare të këngës, festivalet lokale e kombëtare të këngës për fëmijë, anketat muzikore, etj.
Si kompozitor ai ka shkruar dhe në gjini muzikore më të mëdha, sikurse kanë qënë komeditë muzikore “ Dritë plot diell”( 1970) dhe “ Flokë dëbore në prill” (1983).
Në vitin 1992 së bashku me familjen Thomai emigroi në shtetin Grek për një jetë më të mirë. Edhe atje ai e gjeti veten duke punuar për 20 vite si instrumentist dhe këngëtar në disa bare të Athinës. Për punën dhe kontributin e tij muzikor Presidiumi i Kuvëndit Popullor e ka vlerësuar Thoma Gjonin me urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, kurse Bashkia e Sarandës e ka nderuar me titullin ”Qytetar Nderi i Sarandës”. Thoma Gjoni është aktivizuar si futbollist dhe me skuadrën e “Butrintit ” të Sarandës.
Krejt rastësisht e takuam Thomanë me bashkëshorten në bulevardin “Hasan Tahsini” dhe kujtesa dhe përfytyrimi sollën në memorien tonë atë punë të madhe titanike që bëhej atëherë në estradën e Sarandës, ato këngët e bukura, të krijuara prej tij, si: “Vjen dashuria bashkë me rininë”, “Rritesh mes dashurisë”, “Pushime të gëzuara”, “Motivi ynë Kënga” apo kënga që do ta ndiqni tani me tekst të Enver Isufit, kënduar nga Liljana Konkakçi “ Hidhe hapin vogëlush”.