Me mjeshtrin e drurit, atje në Lefterohorin e largët, usta Bili, sot 92 vjeç

Nga Shpresa Dine

Që 16 -vjeç ka njohur vështirësitë e punës. Sot Spiro Qirjaqi ose usta Bili, siç e quajnë në zonë, është 92-vjeç dhe ende ka vullnet për pune. Është babai i katër fëmijëve dhe jeton i vetëm pasi gruaja ka disa vjet që i ka vdekur.

Fëmijët kanë krijuar familjet e tyre, madje janë larguar edhe në emigracion. Por asnjëherë nuk e kanë braktisur babanë e tyre. Shpesh vinë në fshat dhe interesohen për çdo gjë që mund t’i duhet prindit të tyre.
Por rruga për në Lefterohor na solli fakti që këtu është një usta ka qënë dhe është mjeshtri i punëve me dru. Dhe ai është usta Bili. Usta Bili, që me duart e tij si marangoz deri edhe në një repart të vogël zdrukthtarie atje në fshatin e largët, në Lefterohor, mbi Delvinë, ka lënë gjurmët e punës së tij në familjet lefterohite.

Në fshat i kishte dalë nami që ç’ja shihte syri, ja bënte dora por prapë e brente meraku i bërjes së punës sipas kërkesave të bashkëfshatarëve të tij dhe jo vetëm. Me duart e tij usta Bili ka punuar dyer, dritare, mobilje, çati, voza druri. Madje qesh kur thotë se ca punë i ka bërë me lekë por edhe pa lekë. Sot profesionin e tij e ka trashëguar tek djali i vogë që punon në Greqi.  “ Kam djalin e vogël.

Ai është usta më i mirë se unë. Është në Greqi, në Artë – na thotë usta Bili, ndërsa merrej duke zdrukthtuar një dru. Por usta Bili, edhe pse në moshën 92 – vjeçare shihet se mbahet mirë. Ai tani pas punëve të vogla në zdrukthtarinë e tij, pranë shtëpisë, në qendër të Lefterohorit, kalon kohën duke u relaksuar duke i rënë fyellit, që e ka krijuar me duart e veta. Sarandalife i uron usta Bilit jetë të gjatë dhe aktive.

Nga Shpresa Dine