Rezultati zgjedhor në Himarë ka nevojë për hetim teknik jo etnik
Referuar të dhënave paraprake të publikuara nga KQZ, për Kandidatin për Kryetar të Bashkisë Himarë, por edhe Këshillin Bashkiak, shihen disa elementë që qartazi çojnë në dyshime të arsyeshme për një rezultat të kontestuar.
Ja disa prej këtyre elementëve:
Së pari, në 7,821 fletë votimi të numëruara në 36 qendra votimi për 2 kandidatët, rezultojnë 165 fletë votimi të pavlefshme. Hija e dyshimit shtohet kur bëhet fjalë për fletë votimi të pavlefshme, kryesisht në qendrat e votimit që ndodhen në qytetin e Himarës, si dhe qendrat e Lukovës. Pikërisht këto QV janë numëruar të fundit dhe rezultati ka qenë dukshëm në favor të kandidatit Beleri. Në zonën Hor – Vranisht (zona e lumit të Vlorës) ku fitues ka qenë kandidati i majtë Goro, numri i fletëve të pavlefshme është 24, ndërsa 62 fletë votimi janë cilësuar të pavlefshme në Lukovë dhe 79 të tjera të pavlefshme në Himarë. Ky numër merr një peshë specifike, nëse mbahet parasysh fakti se rezultati paraprak i shpallur nga ZAZ 88, e publikuar nga KQZ, është vetëm 19 vota në favor të kandidatit Beleri.
Së dyti, numri i fletëve të votimit për subjektet politike të pavlefshme është 111. Ndërsa për Kryetar është 165 fletë votimi. Pra 54 fletë votimi më tepër. Mundësia për të gabuar me fletën e votimit për subjektet politike (për këshilltar) është shumë herë më e madhe, pasi janë listuar 13 parti, ndërsa fleta e votimit për kryetar ka vetëm 2 emra.
Së treti, referuar të dhënave të publikuara nga KQZ për rezultatin paraprak për Kryetarin, shifrat nuk rakordojnë. Konkretisht sipas KQZ numri i votuesve në qendrat e votimit të numëruara është 7,821 ndërkohë që po të mbledhim numrin e fletëve të vlefshme dhe të pavlefshme, 7,661 të vlefshme + 165 të pavlefshme = 7,826 fletë votimi. Ndërkohë në faqen zyrtare të KQZ, fletë votimi gjithsej janë 7821, pra 5 fletë votimi më pak.
Duke kursyer komentet për ‘zhvillime të mëdha kombëtare e ndërkombëtare”, të cilat mund të mos t’i shërbejnë të vërtetës për rezultatin e votës së hedhur për drejtuesin vendor të Himarës, është koha për verifikime pak më të thjeshta, me fletët e votimit që janë ende në kuti.