Goro: Qytetarët e Himarës të shprehin vullnetin me votë

Kandidati i PS-së, njëkohësisht kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro bëri thirrje qytetarëve që të votojnë.

Goro tha në një prononcim për mediet se “sot qytetarët e Himarës duhet të shprehin vullnetin e tyre me votë dhe vota duhet të jetë për atë që mendojnë”.

“Asnjë hezitim, i ftoj të gjithë qytetarët të cilët nuk kanë votuar akoma që të vijnë të shprehin vullnetin e tyre të lirë për të ardhmen e tyre”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët lidhur me akuzat e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule i cili tha më herët se familjarë të Jorgo Goros qëndrojnë pranë qendrave të votimit, Goro e mohoi një gjë të tillë.

“Nuk ka një gjë të tillë, Vangjel Dule ta thotë me fakte se ku dhe kë kanë kërcënuar apo intimiduar për të votuar për këdo. Unë shpreh dhe njëherë atë që qytetarët e Himarës po bëjnë sot dhe në qendrat e votimit, siç e shikoni ka qetësi dhe njerëzit po votojnë për të shprehur vullnetin e tyre”, deklaroi Goro.