Oltion Çaçi shpalos prioritetet e tij si kryebashkiak, për transformimin e Sarandës

Kandidati i PS për kryetar të bashkisë Sarandë, Olti Çaçi, gjatë një takimi me qytetarët tha se, “Saranda ka mbushur këtë shesh plot, pasi beson se e ardhmja e këtij qyteti është vetëm përpara, me Edi Ramën dhe PS”.

“Besimi që më keni dhënë më bën të ndihem mirënjohës për këtë shans, por mbi të gjitha i përgjegjshëm për transformimin e Sarandës në një pasaportë për turizmin e Shqipërisë dhe imazhin e saj ndërkombëtar”.

Kryebashkiaku i Sarandës u ndal dhe tek investimet që do të bëhen gjatë 4 viteve të ardhshme në këtë bashki.

Çaçi tha se, “duke shikuar vetëm përpara të çlirojmë Sarandën nga pengesat e infrastrukturës që pengojnë fluksin në rritje të turistëve të huaj me mbështetjen e plotë të qeverisë. Vetëm përpara për përmirësimin urgjent të rrugëve dhe trafikut dhe për këtë do të ndërtojmë 4 parkingje publike që lehtësojnë qëndrimin e turistëve në qytet. Ndërtimin e një terminali modern për autobusët interurbanë në hyrje të Sarandës. Ndërtimin e portës së re hyrëse dhe dalëse të veriut të Sarandës. Ndërtimin e rrugës 6 dhe zgjatjes së shëtitores të qytetit deri tek Kanali i Çukës. Këto janë premtimet kryesore që kanë mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama”.

Ai shtoi se, “pas përfundimit të rrjetit të brendshëm të ujësjellësit Saranda, Ksamili dhe rrethinat e tyre kanë nevojë për projekte të qëndrueshme për furnizim 24 orë nga burimet e bollshme ujore. Kjo qeveri e ka gati strategjinë për këtë projekt. Duke shikuar vetëm përpara do ta shndërrojmë Sarandën në simbol të qytetit të pastër, ku qeveria ka premtuar një ndihmë shtesë për pastrimin këtë sezon veror, e cila më pas do të kthehet në një strategji të qëndrueshme. Do të luftojmë të zgjasim sezonin turistik të Sarandës deri në 12 muaj”.

“Për mua dera e bashkisë do të jetë e hapur për të gjithë pa dallim, sepse detyra jonë e parë është t’i përgjigjemi dhe t’i lehtësojmë jetën çdo banori të Sarandës”, përfundoi Çaçi.